

Fitore në derbi, asnjë rezultat tjetër i mundshëm, nëse Interi dëshiron të fitojë titullin e 20-të në historinë zikaltër në derbin ndaj Milanit. Barazimi ndaj Cagliarit, i kombinuar me barazimin e Milanit ndaj Sassuolos, nuk iu lejon kryesuesve të Serie A ndonjë rezultat tjetër nëse duan të festojnë yllin e dytë kundër kushërinjve të tyre kuqezinj.
Në fakt, me 6 ndeshje ende për t’u luajtur, skuadra e Inzaghit ka 83 pikë kundrejt 69 të kuqezinjve. Distanca aktuale +14 pikë nga vendi i dytë, nëse do të mbetej e pandryshuar apo edhe do të zvogëlohej me një fitore të “Djallit”, nuk do ta lejonte Interin të fitonte matematikisht titullin (mbeten edhe 5 ndeshje pas derbit).
Edhe në rast humbjeje ndaj Milanit, Lautaro Martinezit dhe shokëve të tij do t’iu mjaftonin edhe 5 pikë për ta zyrtarizuar trengjyrëshin. Skuadra e Piolit në fakt mund të arrijë maksimumi 87 pikë.
Megjithatë, me ngadalësimin (barazimin) ndaj sardinezëve, gara për rekordin e 102 pikëve në sezon (vendosur nga Juventusi i Contes) u zbeh. Zikaltrit, nëse do t’i fitonin të gjitha ndeshjet e mbetura të këtij kampionati, do ta mbyllnin me 101 pikë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





