Transmetuar më 13-04-2024, 12:30

Gjyqi ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump do të nisë të hënën përpara Gjykatës së Qarkut të Manhattan në Nju Jork dhe ku është gjyqi i parë i një presidenti amerikan në histori, për akuza penale.

Nuk dihet nëse Trump do të marrë pjesë në seancën e parë, por ai pritet të dalë para një gjykate të Nju Jorkut në këtë proces, ndërsa po bën fushatë për zgjedhjet presidenciale në nëntor, raporton noa.al duke cituar AP.

Ish-avokati dhe bashkëpunëtori i Trumpit, Michael Cohen, është planifikuar të dëshmojë në këtë gjyq. Cohen më parë pranoi se ka pasur një skemë për të paguar aktoren e filmave për të rritur, Stormi Daniels.

Daniels tha gjithashtu se ajo pret të thirret për të dëshmuar në gjyq. Trump akuzohet për falsifikimin e dokumenteve të biznesit kur i pagoi aktores Stormy Daniels, nëpërmjet bashkëpunëtorit të tij Cohen, 130,000 dollarë në mënyrë që ajo të mos fliste publikisht për lidhjen e tyre të supozuar.

Trump i mohoi të gjitha akuzat dhe i vlerësoi si të motivuara politikisht.

Aktakuza, e ngritur nga prokurori Alvin Bragg, e akuzon Trumpin për falsifikimin e dokumenteve të biznesit në 34 pika, dhe prokuroria pretendon se duke falsifikuar ato dokumente, Trump në fakt donte të mbulonte ndikimin në fushatën zgjedhore të 2016, d.m.th. të zvogëlonte dëmin që do të ishte shkaktuar nga zbulimi i aferave të supozuara.

Trump i ka paraqitur paratë e paguara Daniels përmes avokatit të tij në librat e tij të biznesit si shpenzime për avokatin. Kjo ndodhi në vitin 2016 kur Trump po bënte fushatë për presidencën.

Aktakuza kundër Trump është ngritur në mars të vitit 2023 dhe fillimi i gjykimit ishte caktuar për 25 mars të këtij viti, por është shtyrë vazhdimisht për shkak se ekipi i Trump ka kërkuar kohë shtesë për mbledhjen e dokumenteve.

Për falsifikimin e dokumenteve të biznesit, Trump përballet me një dënim me katër vjet burg, por ai mund të marrë një dënim më të vogël sepse nuk është dënuar deri më tani.

Mediat amerikane, megjithatë, theksojnë se nuk është një favor që mund të aplikohet në rastin e Trumpit pasi ai kundërshtoi publikisht gjyqtarin dhe ofendoi vajzën e tij.

Në mënyrë që Trump të shpallet fajtor, prokuroria duhet të provojë se ai jo vetëm ka falsifikuar dokumente biznesi, që do të ishte kundërvajtje, por se donte të mbulonte një tjetër shkelje të ligjit, që është vepër penale.

Edhe nëse Trump shpallet fajtor dhe edhe nëse shkon në burg, kjo nuk e skualifikon zyrtarisht nga kandidimi për president.

Ka edhe dy procedime penale federale kundër Trump – për trajtimin e paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara dhe përpjekjen për të kthyer rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në favor të tij, si dhe një çështje penale në Xhorxhia, për përpjekje për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.

Deri më tani, gjykimi nuk ka nisur për asnjë nga këto raste. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd