

https://noa.al/lajmi/2024/04/2432207.html
Kompania gjigante e hidrokarbureve, SHELL raportohet se ka dështuar të gjejë naftë në vendburimin premtues të Shpiragut në Shqipëri.
Në raportin e fundit të kompanisë, SHELL njofton fshirjen nga regjistrat e saj të mbi 600 milionë dollarë investime, kryesisht në kërkim, në Shqipëri.
“Për tremujorin e parë, fshirjet e kërkimit të puseve pritet të jenë 0.6 miliardë dollarë, kryesisht në Shqipëri”, deklaroi kompania përditësimin e rezultateve financiare për tremujorin e parë të vitit.
Kompanitë shpenzojnë miliona dollarë në shpenzime për kërkimin e naftës në zona me potencial, por kur ndodh që kërkimet të jenë pa rezultat ato fshijnë shpenzimet nga regjistrat e tyre kontabël.
Lajmi për mundësinë e zbulimit të një vendburimi të madh të naftës në Shpirag e dha kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku në një konferencë të posaçme për mediat.
Rama tha në atë kohë, se jo vetëm që ka potencial të madh për zbulimin e naftës, por se ajo është e cilësisë së parë, e krahasueshme me atë të Arabisë Saudite.
Raporti i Shell për kërkimet në Shpirag.
Në 23 maj 2018, kompania tha se t estimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.
“Zbulimi i Shpiragut për Shell është i pari në tokë në një brez tektonik të rrudhosur dhe të mbihypur në Shqipëri (struktura gjeologjike ku gjendet rezervuari i hidrokarbureve)”, tha Marc Gerrits, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv i Shell për Eksplorimin. “Ne jemi të gjithë të kënaqur që këto testime të para kanë konfirmuar potencialin e këtij zbulimi dhe presim të rrisim biznesin tonë në Shqipëri.”
Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fucive nafte në ditë. Volumi komercial i rikuperueshëm i naftës nga Shpiragu duhej përcaktuar më tej përmes aktivitetesh të tjera vlerësuese.
Zbulimi i Shqipragut, në një rezervuar karbonatik të frakturuar, është në një strukturë gjeologjike të njëjtë me fushat e mëdha të Val D’Agrit dhe Tempa Rossas në Itali, ku Shell ka një pozicion të rëndësishëm jo-operues.
Hapi tjetër në programin vlerësues ishte kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell njoftoi atlherë se do të kryente shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre.
https://noa.al/lajmi/2024/04/2432207.html
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd
