Transmetuar më 12-04-2024, 14:33

TIRANË- Drejtori i Policisë së Shteti, Muhamet Rrumbullaku ka dhënë detaje lidhur me operacionin e përbashkët me SPAK kundër trafikimit të klandestinëve.

Rrumbullaku tha se hetimi ka zbuluar aktivitetet e të paktën 5 subjekteve tregtare që siguronin kontrata fiktive për shtetas kryesisht nga Bangladeshi, vijonin me ndjekjen për aplikime për vizë deri në mbërritjen në Rinas për 5 mijë euro.

Ai tregoi se u identifikuan 26 persona të përfshirë, mes tyre edhe efektivë të policisë.

“Hetimi filloi bazuar në informacionin e grumbulluar me drejtorinë për hetimet për krimin e organizuar për shtetas dhe subjekte që siguronin kushte për shtetas të vendeve të ndryshme për të mbëritur në vendin tonë që të vijonin në drejtim të vendeve të BE. Hetimi zbuloi aktivitetet e të paktën 5 subjekteve tregtare që siguronin kontrata fiktive për shtetas kryesisht nga Bangladeshi, vijonin me ndjekjen për aplikime për vizë deri në mbërritjen në Rinas për 5 mijë euro. U identifikuan 26 persona të përfshirë, me punonjës të policisë të përfshirë.”, u shpreh Rrumbullaku.

Ai bëri me dije se janë sekuestruar 13 automjete, 50 telefonë, 3 pistoletë, 1 çifte, 50 fishekë dhe 4 laptopë. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 1 milionë euro cash.

“Në funksion të operacionit për ekzekutimin e masave, gjatë kontrolleve të ushtruara, janë gjetur dhe sekuestruar 13 automjete, 50 telefona, 3 pistoleta, një cifte, 4 laptopë, 400 mijë euro, 700 mijë dollarë amerikanë dhe dhjetëra dokumente të sekuestruara. Në total, rreth 1 milionë euro cash. Hetimi i policisë nën drejtimin e SPAK, ku u vunë nën hetim përvec individë të ndryshëm dhe punonjës, hetimi i shërbeu edhe nismës së policisë edhe për vetëpastrimin e policisë. Në hetimin 1 vjecar të këtij procesimi u angazhuam 380 punonjës policie”, tha Rrumbullaku.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd