Transmetuar më 12-04-2024, 10:28

Një Ferrari luksoz, që ka kushtuar 160 mijë euro, në flakë. Mbrojtësi i Lazios, Elseid Hysaj, ndodhej në makinën luksoze, e cila mori flakë duke rrugëtuar. Në timon ka qenë vjehrri i futbollistit, teksa të dy kanë përjetuar momente frike dhe ankthi. Automjeti ka nisur të digjet dhe bllokimi i përkohshëm i dyerve i ka penguar të dy që ta braktisnin me shpejtësi Ferrarin.

Të ngecur brenda, në sytë e gruas së tij, që po udhëtonte në një makinë tjetër, futbollisti shqiptar dhe babai i bashkëshortes kanë arritur të çlirohen pas momenteve të panikut. Një tragjedi që u evitua fatmirësisht mbrëmjen e së hënës, por doli në dritën e mediave këto orë. "Fatmirësisht askush nuk u lëndua, – janë fjalët e Hysajt, raportuar nga “Il Messaggero”. – Falë zotit i shpëtuam rrezikut".

Ferrari i tij u shkatërrua plotësisht, por kjo është gjëja më pak e rëndësishme. Çfarë ndodhi? Hipoteza më e mundshme është se faji që shkaktoi zjarrin e automjetit ishte shkaktuar nga një defekt në prodhim. Një opsion i konfirmuar nga vetë Hysaj dhe për të cilin së shpejti do të ketë reagime, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Ish-mbrojtësi i Napolit, siç shihet edhe nga profili i tij në Instagram, është entuziast i makinave të një niveli të caktuar. Përveç Ferrarit, garazhi i tij përfshin edhe automjete të tjera luksoze, duke filluar me një Lamborghini Huracan me shkëlqim, të blerë gjatë kohës te Napoli.

Hysaj zgjodhi një vend vërtet të veçantë për t’u përjetësuar i ulur në ‘krijesën e tij’, një nga tarracat e rrugës kryesore që të çon në Positano, perla e Bregut, dhe me pamje nga një panoramë mahnitëse.

Nga fotot që ai vetë ka bërë, mund të shihen edhe dy fuoristradë të mëdha e impozante, njëra nga Mercedes dhe tjetra nga Jeep. Po kështu, shqiptari posedon një Porsche 911 Turbo dhe Audi S8.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd