

Vëmendje maksimale në Madrid, Londër dhe Paris, mes ditës së djeshme dhe të sotme në mbrëmje për ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Pas sulmit në Moskë, "Al-Azaim", një nga organet e propagandës së ISIS-it, kërcënoi se do të sulmojë katër stadiumet ku do të luhen ndeshjet e Champions-it.
Një temë që padyshim ka zënë qendër edhe në konferencat e shtypit të trajnerëve para ndeshjeve. "Kush nuk shqetësohet? Jemi të gjithë të shqetësuar. Shpresojmë se është diçka që do të jemi në gjendje ta kontrollojmë, se mbetet një kërcënim dhe asgjë nuk do të ndodhë".
Kështu u shpreh Luis Enrique, trajneri i PSG-së, në prag të ndeshjes kundër Barcelonës në "Parc des Princes". Më tej, trajneri asturian vazhdoi: "Është një çështje e vështirë, siguria mbetet një element i rëndësishëm për të gjithë, jo vetëm për lojtarët. Sidoqoftë, ne duhet të përpiqemi të fokusohemi te futbolli".
Luis Enrique foli edhe për kundërshtarin, që e ka drejtuar, madje ka fituar edhe tripletën sezonale me të si trajner: “Nuk do të them pikën e dobët, janë në një periudhë të mirë, kanë përvojë. Është një ndeshje e vështirë, ka rivalitet mes dy klubeve, që shpresoj të jetë i shëndetshëm.
Pres një shfaqje të mirë. Do të shohim dy ndeshje të mira futbolli. Për mua është një ndeshje e veçantë. Në fund të fundit jemi profesionistë, por është e qartë se kam marrëdhënie totale dashurie me Barcelonën.
Mbappe? Nuk dua të flas për individët, por në nivel të përgjithshëm jemi në një moment të madh. Konstatoj shumë përgjegjësi te lojtarët e mi, kanë entuziasëm dhe ambicie. Dhe dëshirë maksimale për të luajtur kundër një Barcelone të madhe".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





