

Pep Guardiola vlerësoi “golat fantastikë” nga Bernardo Silva, Phil Foden dhe Josko Gvardiol, si dhe stabilitetin emocional të Manchester City, në barazimin 3-3 ndaj Real Madridit, në ndeshjen e tyre të parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Epërsia ndryshoi tri herë në një thriller me 6 gola. Guardiola e analizoi kështu: “Kur luan në Madrid është krejt e veçantë. Ne shkuam 2-3, por këtu ndeshjet nuk mbarojnë kurrë. Na shkon për shtat rezultati, brenda një jave (të mërkurën e ardhshme) në Manchester do të luhet kthimi. Tifozët tanë do të na ndihmojnë të shënojmë gola të tjerë. Do të përpiqemi të arrijmë në gjysmëfinale”.
Pep mohoi zhgënjimin për pamundësinë e ruajtjes së epërsisë 3-2: “Barazimi është rezultat i mirë, po luanim në ‘Bernabeu’, mos harroni. Pjesën e parë na mungoi gjakftohtësia, humbëm më shumë posedim se zakonisht kundër Real Madridit. Është shumë e vështirë, sepse madrilenët nuk kanë vetëm këmbë, por cilësi për t’i bërë tranzicionet në mënyrë efektive.
Në pjesën e dytë luajtëm me personalitet të jashtëzakonshëm, u përpoqëm të shënonim gola. Dhe e bëmë këtë. Ne shënuam tre gola në ‘Bernabeu’, diçka shumë mirë. Është një rezultat i mirë për ne, padyshim”.
Për ndeshjen e kthimit të javës së ardhshme shtoi: “Real Madridi është ‘mbreti’ i këtij kompeticioni, ka qenë në këto situata shumë herë, kështu që nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Favorit do të jetë ai që luan më mirë dhe imponon mënyrën e vet të lojës”.
Kevin De Bruyne nuk startoi në formacionin titullar, por sëmundja e detyroi të tërhiqej. “Ai filloi të villte sapo mbërriti në stadium”, – sqaroi Guardiola.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





