

Falë një goditjeje nga Federico Gatti, bardhezinjtë mundën Fiorentinën në javën e 31-të të Serie A dhe iu rikthyen suksesit pas 41 ditësh në kampionat. Në fakt, Juventusi nuk kishte fituar që nga 3-2 kundër Frosinone më 25 shkurt. Edhe atëherë ishte mbrojtësi Daniele Rugani, pas golit të Dusan Vlahovic, që i dha tri pikët “Zonjës së Vjetër”.
Goli i katërt i sezonit nga ish-lojtari i Frosinone i lejon skuadrës së Massimiliano Allegrit të lëvizë +4 pikë ndaj Bologna së vendit të katërt. Një tjetër fitore “hundëshkurtër”, specialitet i trajnerit livornez, falë mbi të gjitha një pjese të parë të shkëlqyer, ku Juventusi pa edhe tre gola të anuluar, e cila u pasua nga një pjesë e dytë më pak e mirë.
Antonio Cassano, duke folur për “Domenica Sportiva”, nuk i kurseu kritikat e zakonshme dhe të ashpra ndaj Allegrit: "Problemet e Juventusit vazhdojnë prej tri vitesh, nuk është çështje miopie. Skuadra e Allegrit luan keq prej tri vitesh, nuk bën dot tri pasime të sakta radhazi. Juventusi është më pak i fortë se Interi, sigurisht, por mos harroni ka 17 ndërkombëtarë në përbërje dhe nuk bën dot tri pasime.
Pse? Kur trajneri vazhdon të thotë se ky Juventus duhet ta mbyllë në vendin e katërt, ai pohon një gënjeshtër. Pra, i mashtron të gjithë. Natyrisht jo mua, Lele (Adani), njerëzit që kanë luajtur futboll, fjalët e të cilit na hyjnë nga njëri vesh dhe dalin nga tjetri. Problemi i madh është se Allegri tallet me 12 milionë tifozë.
Nëse Juventusi me 17 lojtarë ndërkombëtarë në përbërje del nag gara e titullit që në shkurt, atëherë dështimi është spektakolar. Trajneri vazhdon të thotë se Juventusi duhet ta përfundojë i katërti, se duhet të rritet… Në fakt, me futbollin që aplikon, Allegri nuk i ndihmon lojtarët të rriten”.
Sipas Cassanos, trajneri bardhezi duhet të kishte bërë një hap prapa, por i duhen 10 milionë eurot: “Dëgjoj, dëgjoj, dëgjoj, më pëlqen shumë të dëgjoj të paaftët që thonë se Juve filloi sërish me të rinj dhe nuk bëri transferime, por dy lojtarë kushtojnë 160 milionë euro. Njëri është Bremer, tjetri Vlahovic. Nëse klubi do të kishte ndërmend të fillonte me të rinjtë, nuk do t’ia jepnin ekipin Allegrit.
Me siguri do t’ia besonin Thiago Motta, specialist për t’i ndihmuar ekipet të rriten. Juve e mori Allegrin duke i dhënë atij 10 milionë euro në sezon për të fituar trofe. Meqenëse nuk i pëlqen të luajë futboll, por të fitojë, ai nuk ka fituar asgjë për tri vite. Ai duhej të kishte bërë një hap prapa para këtij sezoni dhe të kthehej në shtëpi, por kam përshtypjen se 10 milionë eurot janë parësor për të.
Allegri, ndryshe nga trajnerët e tjerë, nuk evoluoi kurrë. Njësoj si Mourinho. Po flasim për atë lloj trajneri që fokusohet në mbrojtje, që nuk i pëlqen të luajë futboll, por pastaj, kur fitoret dhe trofetë nuk vijnë, duhet të shkojnë në shtëpi. Futbolli ka evoluar. Thiago Motta po ecën mirë si italian, por Juventusi ka nevojë për një trajner të mirë tani”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





