

Mauricio Pochettino, trajneri i Chelsea, foli për “Sky Sports” pas suksesit të jashtëzakonshëm 4-3 kundër Manchester United në Premier League. Një “thriller” i vërtetë, teksa “Djajtë e Kuq” humbën 4-3 ndaj Chelsea, edhe pse ishin në epërsi 3-2 deri në minutën e 99-të: "Ishte fantastike. E meritonim, ishim ekipi më i mirë. Ishte një rezultat i drejtë. Më pëlqen të shënoj gola, por nuk më pëlqen t’i pësoj si sonte. Është një proces, skuadra duhet të komunikojë me tifozët. Mënyra se si e filluam sonte është pikërisht ajo që duam, nuk ka rëndësi nëse luajmë ndaj Manchester United apo Burnley".
A ju pëlqejnë lojëra të tilla?
Sot futbolli është rezultat dhe argëtim. Palmer? Një nga pikat e tij të forta është mentaliteti dhe aftësia për të përballuar presionin. Është sezoni i tij i parë në të cilin luan vazhdimisht dhe ka qenë në gjendje ta menaxhojë situatën. Ai është një top-lojtar, por ka ende vend për përmirësim.
Çfarë qëndrimi duhet të keni ju në stol?
Duhet të jem i qetë, për ta ndihmuar ekipin. Sidomos një ekip që ka nevojë për ndihmë nga jashtë. Ne kemi një nga ekipet më të reja në Evropë. Megjithatë, në fund të ndeshjes vlen rezultati. Futbolli nuk është cirk, ku keni nevojë për një klloun që të bëjë gjëra për t’ju argëtuar. Unë jam trajner, jo klloun. Pasioni nuk është të jesh njeri i çmendur në fushë. Në stol duhet të jem i qetë dhe analitik, ta ndihmoj skuadrën në çdo aspekt të lojës. Gjithsesi, kjo ishte fitorja më e çmendur në karrierën time.
Sa e donit këtë fitore?
Ne vazhduam të besojmë deri në fund. Iu thashë lojtarëve se kishin mbetur edhe dy minuta lojë, ndaj të vazhdonin të besonin se mund të shënonin. Për ne ishte shumë e rëndësishme, një ndeshje për t’u fituar. Në fund të fundit, rezultati ishte i drejtë. Për lidhjen me tifozët, kjo ishte fitore e rëndësishme. Shpresoj të jetë pikë kthese.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





