

Te Milani, Christian Pulisic po shijon sezonin më të mirë të karrierës së tij. Performanca e 25-vjeçarit amerikan ka bërë që qendra e vëmendjes së merkatos të bjerë mbi të. Megjithatë, ai nuk e ka ndërmend të largohet nga Milani. Këtë e konfirmoi Marko Pulisic, babai i futbollistit në fjalë: "Ai e pëlqen Milanin, ndjen besimin e trajnerit Pioli. Christian e do vërtet Milanin dhe dëshiron të qëndrojë aty".
Mark Pulisic, babai i numrit 11 të kuqezinjve foli edhe për mënyrën se si shkuan negociatat për ta sjellë Christian në Milano: "Ai kishte besimin e të gjithëve. Pioli i beson atij, gjithmonë e lë të luajë dhe nuk e zëvendëson menjëherë, nëse gjërat shkojnë keq. Im bir e pëlqen Milanin, gjithmonë flet mirë për shokët e tij të skuadrës.
Tomori dhe Giroud e ndihmuan shumë kur ishte fjala për zgjedhjen e Milanit. Ai kurrë nuk foli me Cardinale gjatë negociatave. Përkundrazi, thelbësore ishte telefonata me ‘zoom’ e trajnerit Pioli. Biseda shkoi shumë mirë, Christian e kuptoi se cili ishte projekti dhe tha po”.
Babai i Pulisic foli gjithashtu për të ardhmen: "Futbolli ndryshon shpejt, e kemi kuptuar prej disa kohësh se ky sport është edhe biznes. Ne mund të mendojmë vetëm në afat të shkurtër, por le të jemi të qartë: Christian e do Milanin dhe dëshiron të qëndrojë aty. Tani ka filluar të flasë edhe italisht, shkon shumë mirë me shokët e skuadrës, sidomos me Loftus-Cheek dhe Musah".
Për sezonin e djalit të tij shtoi: "Mendoj se ka një perceptim të gabuar. Për mua nuk është e vërtetë që Christian zhgënjeu te Chelsea. Ai thjesht nuk luajti rregullisht. Për mua tani po arrin kulmin e tij. Im bir është 25 vjeç, punon shumë për ta zhvilluar lojën e tij. Mbi të gjitha është i respektuar nga shokët e tij”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





