

Pep Guardiola i është kundërpërgjigjur Roy Keane, pasi ish-kapiteni i Manchester United, tashmë ekspert i “Sky Sports” e krahasoi sulmuesin Erling Haaland me lojtarët e “League Two", pas barazimit 0-0 të “qytetarëve” me Arsenalin.
Manchester City mbeti “thatë” si rrallëherë në stadiumin “Etihad”, të dielën, me Haaland që pati një paraqitje frustruese, duke e prekur topin vetëm 23 herë. Kësisoji, skuadra e Guardiolës humbi terren në garën për titullin e Premier League.
Keane nuk mbeti i impresionuar nga performanca e 23-vjeçarit dhe tha: "Përpara portës është më i miri në botë, por loja e tij e përgjithshme për një nivel të tillë është shumë e dobët. Nuk po flas vetëm për sot. Ai duhet ta përmirësohet në futbollin kombinativ dhe teknik që aplikon Guardiola, sepse në këtë drejtim është pothuajse si një lojtar i ‘League Two’ (kategoria e katërt e futbollit anglez)”.
Duke folur përpara ndeshjes së Manchester City kundër Aston Villa, të mërkurën mbrëma, Guardiola mbrojti Haaland dhe pretendoi se nuk ishte faji i sulmuesit norvegjez që ekipi i tij nuk shënoi ndaj Arsenalit: "Unë nuk jam dakord me të, absolutisht jo.
Është sikur dikush mund të thotë se Keane është trajner për ligën e dytë apo të tretë, por unë nuk mendoj kështu. Jam i habitur që këto fjalë vijnë nga një ish-lojtar. Fatkeqësisht kujtimet zbehen shpejt, ata vetë ndiheshin të lënduar kur kritikoheshin nga ish-lojtarët.
Erling Haaland është sulmuesi më i mirë në botë dhe na ndihmoi të fitojmë tripletën sezonin e kaluar. Arsyeja pse nuk krijojmë shumë mundësi nuk është për shkak të Erling. Ne kemi nevojë për më shumë prani në një të tretën e fundit të fushës, me më shumë lojtarë. Haaland është i jashtëzakonshëm".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





