

Pavarësisht se ka mbushur 39 vjeç në shkurt, Cristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të ndalet. Portugezi në fakt vazhdon të luajë dhe mbi të gjitha të shënojë “me breshëri”. I tund rrjetat e portave të kundërshtarëve në çdo mënyrë të mundshme.
CR7 ishte protagonisti absolut i fitores së Al-Nassr jashtë fushe kundër Abha, një ndeshje e vlefshme për Ligën Pro Saudite. Madje skuadra e Cristiano Ronaldos fitoi me rezultatin tenistik 8-0, me një “hat-trick” të portugezit gjatë pjesës së parë.

Jo vetëm kaq, CR7 dha edhe dy asiste në të njëjtën ndeshje, duke patur kështu “vulën” e tij në 5 nga 8 golat e shënuar prej Al-Nassr. Yll absolut, me pak fjalë. Për portugezin ky ishte “hat-trick” i 65-të në karrierë, i dyti radhazi pas atij ndaj Al Tait në suksesin 5-1.
Cristiano Ronaldo ndërkohë ka përmirësuar më tej numrat e tij në Arabi. Deri më tani ka 29 gola dhe 11 asiste në 24 paraqitje. Numra që e bëjnë portugezin golashënuesin më të mirë në kampionat dhe e vendosin sërish në mesin e futbollistëve më të mirë në botë, pavarësisht përjashtimit të tij së fundi nga 30 kandidatët për fitimin e “Topit të Artë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





