GREQI- Një aksident i rëndë ka ndodhur dje në Greqi, ku dy gra kanë humbur jetën, njëra prej tyre shqiptare. Viktimat kanë qenë duke pritur autobusin dhe një automjet ka kaluar me shpejtësi dhe i ka marrë përpara. 21-vjeçarja me origjinë shqiptare, Elisa Doka u dërgua e plagosur në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë. Ndërkohë ditën e sotme miq dhe të afërm të viktimave kanë kryer homazhe në vendin ku ndodhi aksidenti i cili u mori jetën tragjikisht dy grave.
Miq të 21-vjeçares që studionte për Infermieri ndezën qirinj dhe lanë lule në vendin e aksidentit në Patridë. Dëshmitë e banorëve të zonës për aksidentin tragjik janë tronditëse. Ata treguan se zhurma e përplasjes ishte e madhe, ndërsa tregojnë se 68-vjeçarja u hodh 25 metra më tej nga makina.
“Ne zbritëm dhe pamë se çfarë ndodhi. Kishte një zhurmë të madhe. Ishte si tërmet! Nuk ka fjalë, çfarë të them. Humbëm një nga fqinjët tanë më të rinj. Pashë makinën në oborrin tim dhe gruaja u hodh 25 metra. Nuk e pashë fare vajzën. Të dy prisnin të shkonin në Veria. Shoferi tha se kishte marramendje”, tha një banor, duke përshkruar pamjet e rënda që ka parë.
Në vendngjarje kanë qenë miqtë dhe kolegët e 21-vjeçares.
“Vajza po priste këtu në stacionin e autobusit për të shkuar në spital për të parë tezen e saj. Ajo ishte duke studiuar për infermieri”, shprehen miqtë e vajzës së re.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd