Transmetuar më 02-04-2024, 18:38

PRIZREN- Kreu i BDI-së, partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti është shpallur sot “Qytetar Nderi” në Prizren.

Lajmin e ka dhënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili i dorëzoi këtë titull ish-komandantit të UÇK-së. Në ceremoninë e dorëzimit të titullit ishte dhe kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

POSTIMI I TOTAJT:

Përmes një seance solemne të Kuvendit Komunal, pas votimit unanimisht të kuvendarëve më 28 mars 2024 për shpalljen Qytetar Nderi i Prizrenit të Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, me kënaqësi sot ia dorëzuam certifikatën zyrtare dhe çelësin e qytetit z. Ahmeti, në shenjë nderimi e respekti për kontributin e dhënë në çështjet kombëtare, veçanërisht si përkrahës i Pavarësisë së Kosovës.

Prizreni di t’i nderoj personalitetet e kalibrit të z. Ahmeti, kontributi i të cilit ndihet në tërë rajonin, në të cilin shqiptarët janë faktor stabiliteti, pikërisht si rezultat i njerëzve si Ali Ahmeti.

Në mesin e delegacionit që shoqëronte Kryetarin e BDI-së, ishte edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe politikanë të rëndësishëm shqiptarë, me të cilët vizituam edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast kujtuam të gjitha figurat e shquara kombëtare, të të gjitha kohërave, që punuan dhe u flijuan për atdheun.

Ahmeti gjithashtu ka reaguar me një postim në Facebook, ku shprehet se ishte nder dhe kënaqësi të pranonte këtë titull. Më tej shkruan se Lidhja e 1878-tës vijon t’i mbajë akoma vigjilent për peshën e vlerave kombëtare.

POSTIMI I AHMETAJT:

Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë të isha sot në mesin e bashkëkombasve të mi nga Prizreni dhe të pranoja titullin “Qytetar Nderi” nga kryetari i komunës z. Shaqir Totaj dhe ansambleistët komunal.

Në kohërat vendimtare të lëvizjes sonë kombëtare, Prizreni ka qenë dhe mbetet vatër që na ka bashkuar rreth idealit të lirisë dhe ruajtjes së indit tonë kombëtar.

Lidhja e 1878-tës vazhdon të na mbajë akoma gjallë, vigjilent e të vetëdijshëm mbi peshën e vlerave kombëtare që përfaqësojmë,ndaj titulli që pranova sot është përgjegjësi akoma më e madhe për mua që të vazhdoj me bashkëveprimtarë veprimin në shërbim të amaneteve të Lidhjes. Të rrojë përjetë kombi ynë!

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit