Një zjarr i madh ka përfshirë një klub nate në Stamboll të Turqisë.
Bëhet me dije nga burimet për media se deri më tani ka shkuar në 29 numri i viktimave ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Zjarri shpërtheu gjatë punimeve të rinovimit në klubin e natës Masquerade që ndodhet në katin e parë dhe në bodrumin e një ndërtese banimi 16-katëshe në lagjen Gayrettepe të qytetit.
Zjarri është shuar, ndërsa Davut Gul, guvernatori i Stambollit, tha se kanë nisur hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë. Deri tani policia arrestoi pesë persona për t’u marrë në pyetje, duke përfshirë menaxherët e klubit dhe një person përgjegjës për rinovimet, tha ministri i drejtësisë Yilmaz Tunc.
Pamjet e postuara nga Departamenti i Zjarrfikësve të Stambollit në X treguan ekuipazhet që po shkonin në vendngjarje me disa makina zjarrfikëse dhe ambulanca që rrethonin hyrjen e ndërtesës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd