Transmetuar më 02-04-2024, 13:45

11 vite pasi Joe "Jellybean" Bryant shiti në ankand një unazë kampionati të vitit 2000 me Lakers në NBA, e dhuruar atij nga djali Kobe Bryant, unaza u shit përsëri nga e njëjta shtëpi ankandi për më tepër se pesë herë më shumë: 927.200 dollarë.

Identiteti i blerësit dhe shitësit nuk bëhet i ditur nga shtëpia e ankandeve, kështu që nuk dihet nëse gruaja e Bryant, Vanessa Bryant, e bleu unazën për t’ia kthyer familjes 4 vite pas vdekjes së bashkëshortit dhe vajzës së saj Gianna në aksident ajror.

Ofertimi filloi ngadalë, por u bë i furishëm të shtunën, ditën e fundit të ankandit. Ofertimi filloi me 191.000 dollarë, por 16 oferta u vendosën gjatë 22 minutave të fundit të ankandit. Çmimi final shkoi gati 1 milion dollar, shifër rekord për një unazë kampionati të NBA, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 705.000 dollarësh të paguar për unazën e qendrës së “Hall of Fame”, Bill Russell, në vitin 1957, duke përkujtuar 11 titujt e tij me Boston Celtics.

Kjo është hera e tretë që unaza e Bryant shitet, që kur u hodh në ankand në vitin 2013 nga prindërit e tij, Joe dhe Pam. Ajo u shit së fundi një vit më parë nga “SPC Auctions”. Unaza vjen me një letër autenticiteti të nënshkruar nga Pam Bryant, e cila e ka shoqëruar unazën që nga hera e parë që u nxor në ankand.

Kobe Bryant - Wikipedia

"Zinxhiri i origjinës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, – tha Ken Goldin, shefi ekzekutiv i shtëpisë së ankandeve “Goldin”. – LOA origjinale duhet ta shoqërojë një koleksion përgjithmonë. Pra, kjo unazë përmban letrën origjinale”.

Bryant u trondit në vitin 2013, pasi mësoi se prindërit e tij po përpiqeshin ta shisnin unazën dhe kujtime të tjera të çmuara, duke përfshirë një top basketbolli të nënshkruar nga ekipi i Lakers më 2000, unazën e kampionit të shkollës së mesme të Pensilvanisë në vitin 1996, xhupat që kishte veshur te Lower Merion dhe një dërrasë sërfi që përdori si fëmijë.

Bryant i çoi prindërit e tij në gjykatë, duke thënë se kurrë nuk iu dha atyre leje për t’i shitur sendet e çmuara. Pam Bryant tha në një dosje gjyqësore se planifikoi të blinte një shtëpi në Nevada me paradhënien prej 450.000 dollarësh që mori. Avokatët përpunuan një marrëveshje që lejoi prindërit e Bryant të nxirrnin në ankand gjashtë artikuj kujtimesh me vlerë prej 500.000 dollarësh, përfshirë unazën.

Këtë herë, Joe dhe Pam Bryant e bënë të qartë se nuk kishin asnjë lidhje me shitjen e unazës të shtunën, duke dhënë një deklaratë për “The Times”: “Duam ta bëjmë të qartë se nuk kemi asnjë përfshirje në këtë shitje të unazës së kampionatit të djalit 2000. Thjesht ekzistenca e ankandit ka rihapur një plagë të thellë dhe të dhimbshme”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit