Transmetuar më 02-04-2024, 12:45

Emri i Jose Mourinhos vazhdon të kumbojë në Mynih. Pas katastrofës së Bayernit ndaj Dortmundit dhe duke ditur që Tuchel do të largohet nga pankina bavareze në fund të sezonit, ka nga ata që duan një ndryshim rrënjësor të projektit. Një prej tyre është Dietmar Hamann.

Për ish-lojtarin e Bayernit, ka vetëm një trajner që mund të ndryshojë situatën që po përjeton klubi; Jose Mourinho. “Drejtori sportiv i Bayernit duhet të pyesë veten nëse është më e mira që Tuchel ta udhëheqë ekipin në këtë fazë finale.

Ajo që ndodhi kundër Borussia Dortmund ishte një alarm serioz, prandaj është koha të mendojmë nëse kjo është më e mira për t’i përballuar dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit".

Hamann duket se e ka zgjidhjen: “Ka shumë trajnerë në treg, por unë mendoj për Mourinhon. Mund të mendoni çfarë të doni për të, por te Chelsea, lojtarët e adhuruan atë. Nga pikëpamja profesionale dihet se kush është, edhe si njeri është i jashtëzakonshëm".

Trajneri portugez ka mbetur pa ekip që kur Roma vendosi ta shkarkojë për shkak të rezultateve të dobëta. Që atëherë, Mourinho nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u ulur në një stol të ri të madh. Të shohim nëse do të jetë stoli bavarez, destinacioni i tij i radhës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit