Transmetuar më 02-04-2024, 10:46

Asnjë rifillim, thjesht sepse nuk kishte pasur kurrë ndonjë ndalesë. Më së shumti, barazimi me Napolin ishte ngadalësim i vogël i një marshimi të furishëm të Interit në këtë kampionat, me një ritëm të çmendur.

Në çdo rast, pas pushimit prej kombëtareve, boshllëqet e të cilit u plotësuan nga spekulimet pak a shumë të zakonshme jashtë fushës, rifillimi e pa Interin të rikthehet fuqishëm, me +14 pikë karshi Milanit, madje +20 pikë ndaj Juventusit të vendit të tretë në Serie A.

Nuk kishte “Thu-La” kundër Empolit, por Dimarco dhe Sanchez u kujdesën për këtë, me asiste nga Bastoni (i treti radhazi në tri ndeshjet e fundit të Serisë A) dhe Dumfries. Forca e kolektivit, me pak fjalë doli në pah.

Nëse ngec individi, grupi e kompenson. Në disa protagonistë të këtij udhëtimi të gjatë në fakt dukej se mungonte shkëlqimi, java në vazhdim do të jetë e dobishme për ta gjetur veten përsëri. Para së gjithash nuk shkëlqeu dyshja Lautaro-Thuram.

Të parit i mungon një gol (e kërkoi me kokëfortësi, por megjithatë nuk u bë vërtet i rrezikshëm), ndërsa francezi u shfaq pa frymëzimin dhe shpejtësinë e zakonshme. Bashkë me ta, edhe Calhanoglu dukej se i mungonte “oksigjeni”. Asgjë për të thënë për Barellën dhe Mkhitaryan e “përjetshëm”.

Tashmë 11 pikë i mungojnë aritmetikës për ta zyrtarizuar titullin. 11 pikë nga 24 që janë ende në dispozicion, me kusht që Milani të vazhdojë me fitoret. Nuk janë caktuar data me “të kuqe” në “Appiano”, por qartësisht derbi i Madoninës i 22 prillit është vërtet joshëse për ta ngritur titullin në qiell.

Më përpara janë Udinese dhe Cagliari për t’u kapërcyer, dy skuadra që luftojnë për mbijetesë, pengesa që nuk janë asgjë tjetër veçse të lehta. Në heshtje, sepse ishte “pa zë”, Inzaghi e nisi sërish e menjëherë pa e hequr këmbën nga gazi.

Mbrëmë arriti fitoren numër 100 me Interin (në 150 ndeshje në total, në të gjitha garat). Një objektiv i ndërmjetëm që sigurisht nuk e largon vëmendjen nga ai final; i vetmi që ka rëndësi, ylli i dytë (ose titulli i 20-të në historinë e zikaltërve).

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit