MAQEDONIA E VERIUT- Komisioni Shtetëror për Zgjedhje në Maedoninë e Veriut, sot ka hedhur shortin për renditjen e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Sipas shortit të hedhur kandidati i koalicionit të Frontit Evropian, Bujar Osmani do të ketë numrin 4, ndërsa kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari do të ketë numrin 6.
Kandidatët e tjerë Stevo Pendarovski do të ketë numrin 1, Biljana Vankovska Cetkovska me numër 5, Gordana Siljanovska Davkova renditet me numrin 2, Maksim Dimitrievski me numër 7, Stevço Jakimovski 3.
Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të marrin pjesë shtatë kandidatë. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, ndërsa VMRO DPMNE-ja opozitare me deputeten aktuale Gordana Siljanovska Davkova, e cila ishte kandidate për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Në garën zgjedhore do të marrin pjesë edhe dy shqiptarë. Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës do të jenë edhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”, Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup.
Ky i fundit më 18 mars u fut në listën e zezë amerikane për veprime korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd