Transmetuar më 22-03-2024, 10:40

Një rast i rëndë ngacmimi seksual ka ndodhur në Kosovë, teksa studetët e Fakultetit të Mjekësisë akuzojnë një profesor për sjellje të pahijshme.

Sipas mediave nga Kosova, 27 studetne janë ankuar se profesori që u jep Matematikën, u është drejtuar me sjellje joprofesionale e me komente për pamjen e tyre fizike.

Profesori Krasniqi, i cili mban dy orë në javë të lëndës së Matematikës në Mjekësi, është denoncuar para dy javësh në Këshill të Etikës. Studentet kanë akuzuar profesorin se u është drejtuar me sjellje joprofesionale gjatë orarit të konsultimeve.

“Kam hyrë të konsultohem me profesorin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill.

“E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, ka shtuar në ankesë studentja.

Për sjellje joakademike në orarin e konsultimeve e ka akuzuar edhe një studente tjetër.

“Kur më erdhi rendi, hyra në zyrë dhe profesori më pyeti nëse dëshiroja të shkoja një ditë tjetër në konsultime, por që duhet t’ia jepja fjalën se nuk do t’i tregoja askujt. Unë mbeta pa fjalë se nuk dija çfarë të thosha. Kur e pa reagimin tim, më tha ‘leje, s’je ti që e mban fjalën’”, ka thënë studentja në ankesën e saj.

Studentët kanë shprehur ankesa ndaj profesorit edhe për mënyrën e vlerësimit. Krasniqi, i cili është anëtar i stafit të rregullt në Fakultetin e Edukimit, nuk ka pranuar të prononcohet për denoncimin e 27 studenteve ndaj tij për ngacmim seksual. Ai ka thënë përmes telefonit se do të prononcohet vetëm kur çështja të marrë epilog në Këshill të Etikës.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me të.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd