Transmetuar më 18-03-2024, 13:10

Mundësi për shtimin e shkëmbimeve turistike, por edhe të fushave të tjera midis Shqipërisë dhe Kinës

Grupi Mediatik i Kinë ftoi një grup ekspertësh shqiptarë të ekonomisë, sipërmarrësish dhe studiuesish të analizonin rreth objektivave të rritjes ekonomike prej 5% të qeverisë kineze për vitin 2024, hapjes së vendit ndaj investimeve të huaja, etj.

Ndërkohë, ata, duke iu referuar shtimit të shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kinës, u shprehën optimistë për mundësi të shumta bashkëpunimi dypalëshe.

Ndër të tjera ata vlerësojnë se turizmi është një fushë me interes shkëmbimesh që pritet të rritet, por dhe furnizimi i tregut shqiptar me automjete elektrike kineze.

Albert Rakipi, kryetar i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, lidhur me marrëdhëniet e pritshme midis Shqipërisë dhe Kinës në vitin 2024, theksoi se “është një moment i mirë historik sepse këtë vit mbushen 75 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit me Kinën".

"Është një moment i mirë, – shtoi ai, – për të reflektuar nga qeveria shqiptare që duhet të aplikojë një qasje më kreative kur është fjala për marrëdhëniet ekonomike me Kinën.

Për rolin e Kinës në konfliktet Rusi-Ukrainë, Albert Rakipi tha se përpjekjet e Kinës janë vlerësuar nga BE-ja e SHBA-ja. Ndërsa, për konfliktin Izrael-Palestinë, “është shumë i rëndësishëm fakti që Kina mbështet një zgjidhje me formulën “me dy shtete” dhe se “kjo zgjidhje është e mbështetur nga SHBA-ja, Kina dhe BE-ja.

Duke iu referuar të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, eksperti Enriko Ceko tha se “PBB-ja e Kinës është 5.2% , por çfarë ka përtej këtij prodhimi? Të ardhurat për person janë rritur në 5.7% dhe nga ana tjetër dhe produktiviteti për punëtorë është rritur në më shumë se 5.5-6% në varësi të sektorit.

Kjo rritje e qëndrueshme ekonomike vërtet është në shifra relative 5.2%, por në shifra absolute është disa herë më e madhe se rritja ekonomike e Kinës në shifrën 10 % para 10 vjetëve”.

Zak Topuzi, kryetar i Degës së Hotelerisë, Shoqata Shqiptare e Turizmit shprehu optimizëm për rritjen e numrit të turistëve kinezë në Shqipëri këtë vit. Ai nënvizon se “parashikohet që gjatë viteve në vijim, numri i vizitorëve nga tregjet e mëdha si Kina, vendet e Gjirit Persik, etj., do të rritet më shumë në Ballkan. Kina është një treg i rëndësishëm për shqiptarët, qofte edhe për vizitat e rëndësishme turistike”, tha ai.

Sipërmarrësi shqiptar Ilirjan Koxhioni, CEO i Euroasia Group theksoi perspektivën e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës.

Lidhur me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës, Koxhioni tha se “Rritja ekonomike e Kinës nuk është vetëm për grupime globale, por edhe për vende në nivele të veçanta, si, p.sh., në rastin e Shqipërisë.

Sipas tij, “Potenciali i marrëdhënieve Shqipëri – Kinë është jashtëzakonisht premtues. Kina është burimi i tretë më i madh i importeve të Shqipërisë. Disa nga sektorët kyç të Shqipërisë që do të nxisin rritjen ekonomike të saj në të ardhmen mbivendosen dukshëm me Kinën, për shembull energjia e rinovueshme dhe turizmi

Eksperti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi, bëri të ditur se “brenda këtij muaji do të kemi një sesion në Shqipëri që lidhet me panairet më të mëdha në botë, ku një pjesë e madhe e bizneseve shqiptare që kanë dëshirë të marrin informacion nga Panairi i Kantonit do të jenë pjesë e një bashkëbisedimi virtual midis rreth 60 kompanive shqiptare, të cilat kërkojnë partnerë në Kinë”.

Gazetari i njohur, njëherësh ekspert i ekonomisë Fatos Çoçoli në një analizë, komenton: “Të gjithë analistët, si ata vendas dhe të huaj, bashkohen në konstatimin e tyre, se në ekonominë e dytë më të madhe të botës, për vitin 2023 u shtua ndjeshëm konsumi. Qeveria kineze ka kërkuar të nxisë prodhimin, përmes implementimit të teknologjisë së lartë në të gjithë sektorët prodhues dhe po synon vetë-mjaftueshmërinë teknologjike. Ajo ka në objektiv një rritje më të qëndrueshme të ekonomisë së vendit, të mbështetur nga shërbimet ndaj konsumatorit dhe produktet e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale."

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd