Transmetuar më 06-03-2024, 20:00

Kryetari socialist prej 19 vjetësh dhe kryeministër në mandatin e tretë, Edi Rama deklaroi sot nga Lushnja se sipas tij nuk ka dhe nuk ekziston asnjë qendër votimi që partia e tij nuk fiton zgjedhje.

"Unë kam besuar qysh kur kam filluar ta njoh nga brenda Partinë Socialiste dhe ta shkel të gjithë territorin dhe të shoh hap pas hapi dhe rezultatet, që nuk ka asnjë qendër votimi në Republikën e Shqipërisë që Partia Socialist nuk fiton dot, nuk ekziston", tha plot siguri z.Rama, ndërsa ditët e fundit janë shtuar zërat edhe nga analistët mbështetës, për një rënie dramatike të Partisë Socialiste.

Duke folur dot nga Lushnja ku po bëhet një fushatë anëtarësimesh në PS, z.Rama tha se "cikli ynë i qeverisjes është një cikël i pambyllur, që do të thotë që të gjithë kantieret e reformave janë kantiere të pambyllura, që do të thotë që për të garantuar mbylljen e tyre me sukses, ne duhet të bëjmë çmos që të arrijmë objektivat strategjike të vizionit të Shqipërisë 2030."

Në fjalën e tij, Rama tha edhe se "na duhet të garantojmë një shumicë qeverisëse të qëndrueshme, të aftë për të marrë vendime në vazhdim dhe një mbështetje për vazhdimin e reformave." /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd