Transmetuar më 04-03-2024, 20:48

ELBASAN– Gjykata e Apelit ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit gjyqësor ndaj Arbër Paplekajt i cili është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill të vitit 2021.

Në seancën e sotme, është pranuar kërkesa e të pandehurit për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik të vendngjarjes nga ekspertë të fushës.

Gjithashtu gjykata e Apelit ka vendosur që para se të dalë me një përfundim lidhur me ankimimin e bërë nga Paplekaj kundër dënimit me 22 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, të marrë informacion lidhur me 2 persona të cilët akuzohen për dëshmi të rreme në seancën gjyqësore të zhvilluar ndaj të akuzuarit.

Po ashtu, pjesë e rihapjes së procesit gjyqësor është edhe marrja e informacionit për pezullimin e hetimeve ndaj personave që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.

“Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Marsela Pepi, anëtarë z. Fatri Islamaj dhe znj. Edlira Petri, pasi dëgjoi ankuesit mbi shkaqet e ankimeve të paraqitura, si dhe prokurorin e apelit Z. Genti Xholi, me vendimin e ndërmjetëm, vendosi:

Të përsërisë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor me qëllim marrjen e provave si më poshtë:

-Kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës, duke pranuar kështu kërkesën e të pandehurit A.P.

-Të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

-Të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje”, thuhet në njoftim.

Seanca e radhës do të zhvillohet më datë 18.03.2024, ora 13.30

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd