Transmetuar më 05-03-2024, 07:55

Gianni Infantino e hedh poshtë plotësisht idenë e futjes së kartonit blu në futboll, për përjashtimin nga fusha me 10 minuta. Presidenti i FIFA-s foli në kanalet e tij të mediave sociale në prag të asamblesë së përgjithshme të Ifab-it, duke marrë një qëndrim shumë të qartë: “Dua të jem i qartë, nuk do të ketë karton blu në nivel elitar. Kjo është një temë inekzistente për ne, FIFA është absolutisht kundër kartonit blu”.

Pas takimit, përmes një deklarate, Ifab konfirmoi se përjashtimi i përkohshëm i lojtarëve do të mbetet vetëm si eksperiment për sezonin e ardhshëm. Çdo miratim do të bëhet vetëm pasi të vlerësohet ndikimi në kategoritë e ulëta të futbollit.

Pak javë më parë, anglezët e "Telgraph" kishin njoftuar se futja eksperimentale e kartonit blu ishte e pashmangshme edhe në futbollin elitar, për të ndëshkuar protestat e tepërta apo faullet taktike jo të rrezikshme, me përjashtim 10-minutësh nga loja. Eksperimenti, sipas gazetës britanike, duhet të niste në "FA Cup" sezonin e ardhshëm, por FIFA shpejtoi ta mohonte, duke folur për "lajme të gabuara dhe të parakohshme".

Infantino ka qenë kategorik edhe për një temë tjetër, atë të zëvendësimeve të përkohshme të lojtarëve për shkak tronditjeje: "Nuk do të prezantojmë zëvendësime të përkohshme për tronditjet. Këto janë gjëra të rëndësishme për ne. Kemi investuar shumë para, ndaj kemi përvojë në këtë sektor.

Mjekët thonë se është thjesht e pamundur në pak minuta të përcaktohet nëse futbollisti ka tronditje dhe nëse është e rëndë apo jo. Kjo është arsyeja pse, në rast të një tronditjeje të dyshuar, lojtari duhet të zëvendësohet. Nëse shqetësohemi për shëndetin e lojtarit, atëherë ai duhet të largohet nga fusha dhe një tjetër të hyjë".

Në fund të takimit, Ifab dha dritën jeshile përfundimtare për futjen e zëvendësimit të gjashtë (të pacaktuar) në rast tronditjeje, siç u përjetua tashmë në Kupën e Botës "Katar 2022".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit