Transmetuar më 04-03-2024, 12:32

"Ballkani Perëndimor është jo pak i rrezikuar nga Federata Ruse"

Kryeministri Edi Rama ka folur sot gjatë ceremonisë inaguruese të Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Rama u shpreh se kjo bazë, e cila dikur mbante avionët bombardues të Rusisë, sot është në një epokë tjetër. Ai shtoi se Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me respekt aleatët e saj dhe partnerë.

Ndër të tjera, kryeministri theksoi se Ballkani Perëndimor është i rrezikuar nga Rusia, por kjo bazë e NATO-s rrit sigurinë.

“Shqipëria, me këtë bazë konsideroj një vend strategjik i Perandorisë Sovjetike, përballë Evropës Perëndimore. Këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Por të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlimit, lufta do të niste me bombardimin e NATO, bazat e NATO-s, dhe pjesë do të ishin edhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës. Sot jetojmë në një epokë tjetër.

Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me respekt aleatët e saj dhe partnerë, në një aleancë që është së pari aleancë vlerash për garantimin e paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh, arriti të përfundojë. Këtu me ne janë miq, aleatë. Falënderoj ministrin e Mbrojtjes së Italisë, që ka ardhur me disa avionë me vete. Falënderoj miqtë turq, që për 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj dekade. Një bazë, që është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, që e dimë është jo pak i rrezikuar nga Federata Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti është vazhdim i rritjes së flotës sonë ajrore.

Falenderoj banorët e zonës, për durimin që kanë treguar. Uroj që kjo bazë të sjellë për ta, mundësi të reja punësimi.

E fundit, dua t’i shpreh falënderim të gjithë atyre që kontribuan, duke nisur nga aleatët tanë të NATO-s, me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re, do të shoqërohet në vitet në vijim, nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano. Jemi besimplotë se së shpejti do t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës. Urim për shëndet të gjitha Forvave tona të Armatosura, që dita ditës e bëjnë Shqipërinë më krenare.”– tha Rama.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd