Angazhim i pandërprerë dhe punë profesionale nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, për goditjen e veprimtarive kriminale, garantimin e rendit dhe sigurisë.
Muaji shkurt ishte muaji i sprovave dhe i konsolidimit të përvojës së fituar në drejtim të marrjes së masave për garantimin e rendit, si dhe të sigurisë së personaliteteve të larta shtetërore nga SHBA, Europa dhe rajoni, që erdhën në vendin tonë.
✅ Puna e vazhdueshme hetimore dhe operacionale e strukturave të Policisë së Shtetit, gjatë muajit shkurt, bazuar në inteligjencën policore, ka bërë të mundur finalizimin e 120 operacioneve, në të gjithë vendin.
✅ 7 ngjarje kriminale kundër personit janë parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë dhe i veprimeve profesionale nga ana e tyre.
✅ Vënia në pranga e 40 shtetasve ka parandaluar përshkallëzimin e rasteve të dhunës në familjet e tyre.
-Gjithashtu, veprimet hetimore të kryera në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, kanë zbardhur 3 ngjarje në fushën e krimeve kundër personit, të cilat fillimisht janë raportuar si aksidentale, si dhe 50 vjedhje të kryera më parë, 3 prej tyre nëpërmjet kanosjes me armë.
✅ 20 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë vënë në pranga, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme të strukturave të Policisë së Shtetit dhe i shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.
✅ 467 shtetas janë arrestuar, ndaluar apo proceduar penalisht, në kuadër të 2 megaoperacioneve kombëtare “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, 30 prej të cilëve kanë qenë të shpallur në kërkim.
✅ Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, janë sekuestruar 46 armë zjarri, 8 armë gjahu, 3 mina me telekomandë, 1462 kg lëndë plasëse, 227 kapsolla elektrike dhe detonatore, 5 kallëpe tritoli, shuma parash dhe sende të kundërligjshme.
✅ Ndërsa në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, janë sekuestuar 11 kg heroinë, 1.5 kg kokainë dhe qindra doza të kësaj lënde, 27.3 kg kanabis, qindra doza dhe fara të kësaj lënde, sasi kanabisi në trajtë çokollate, 10 peshore për ndarjen e lëndës narkotike në doza dhe shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale në këtë fushë.
✅Gjatë muajit shkurt, në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, u finalizuan 12 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare.
Pasuri të ndryshme me vlerë rreth 100 000 euro, me burim nga veprimtatitë kriminale, u sekuestruan në kuadër të operacioneve “Real Estate 1” dhe “Real Estate 2”, të zhvilluara nga Policia e Elbasanit.
✅Kontrollet e vazhdueshme për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit kanë zbuluar 20 lokale/ambiente të tjera të përshtatura për këtë veprimtari. 10 kompjuterë dhe 40 celularë që përdoreshin për këtë veprimtari u sekuestruan si provë materiale, bashkë me shuma të konsiderueshme parash të përfituara prej saj.
✅Si rezultat i operacioneve të tjera në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë sekuestruar mallra të ndryshme të kontrabanduara, me vlerë të konsiderueshme, 40 automjete, rreth 110 000 euro dhe 2500 euro false.
✅Denoncimet e shtuara të qytetarëve, për keqpërdorimin e të dhënave të tyre, në rrjetet sociale, kanë intensifikuar punën hetimore të Sektorëve për Hetimin e Krimeve Kibernetike në çdo DVP, për hetimet e këtyre rasteve dhe vënien e autorëve, përpara përgjegjësisë penale.
✅ Gjatë këtij muaji, janë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, 33 shtetas që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetasve të tjerë, për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale, me qëllimi përfitimi apo denigrimi.
✅2 operacione kërkim-shpëtimi janë zhvilluar nga Policia e Shkodrës dhe ajo e Tiranës, për t’iu dhënë ndihmë 2 turisteve që kishte mbetur të bllokuara në mal dhe një alpinisti që kishte dëmtuar këmbën.
✅Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:
✔Janë vënë në pranga 176 drejtues mjetesh, nga të cilët 111 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 65 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi;
✔Janë pezulluar 328 leje drejtimi, nga të cilat 215 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 52 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 61 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
✅Ndërkaq, Policia Kufitare ka ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, si dhe ka garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve.
Gjatë muajit shkurt, në përmbushje të detyrave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, janë evidentuar dhe goditur:
✔25 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit; ✔13 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin; ✔4 raste të trafikimit të mjeteve motorike; ✔3 raste të kontrabandimit të mallrave; ✔7 raste të mosdeklarimit të shumave monetare; ✔3 raste të braktisjes së të miturve.
✅ Ndërkohë, nga strukturat e Policimit në Komunitet, kanë vijuar orët mësimore dhe aktivitetet sensibilizuese në shkolla, si dhe në bashkëpunim me oficerët e sigurisë dhe gjithë zinxhirin e sigurisë në shkolla, ka vijuar zbatimi me korrektësi i masave të përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla.
Policia e Shtetit garanton se do të vijojnë intensivisht megaoperacionet “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli 2”, me bashkëpunimin e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, për të krijuar një ambient të sigurtë dhe për të garantuar zbatimin e të drejtave të qytetarëve.
Ftojmë që të denonconi në njësitë e Policisë, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd