Kapet në Qerret polaku i dënuar me 13 vjet burg, i akuzuar si pjestar i një grupi kriminal.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Varshavës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 4”.
Gjatë operacionit, në Qerret, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Poloni, shtetasi polak, i shpallur në kërkim ndërkombëtar Sebastian Bijak, 42 vjeç.
Gjykata e Varshavës-Pragës e ka dënuar këtë shtetas, me 13 vjet burgim, për krime në fushat e armëmbajtjes pa leje, mashtrimit dhe posedimit të sendeve të vjedhura, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal, vepra këto të dënuara sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Varshava po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd