Transmetuar më 29-02-2024, 13:16

Frika është bërë realitet. Paul Pogba do të duhet të qëndrojë larg fushave të lojës për një kohë shumë të gjatë, për shkak të rastit të dopingut, që e pa atë si protagonist pothuajse një vit më parë. 4 vite skualifikim, ky është sanksioni i vendosur nga Gjykata Kombëtare Antidoping ndaj mesfushorit gati 31-vjeçar të Juventusit.

Kësisoji, u pranua kërkesa e Prokurorisë Antidoping, e cila kishte kërkuar skualifikim 4-vjeçar për Pogba. Dënimi u dha në mëngjes, në fund të një gjyqi të paplanifikuar, pak më shumë se një muaj pas datës fillestare të seancës, të caktuar për më 18 janar, e cila më pas u shty.

Juventusi u njoftua për skualifikimin e Pogba. Prokuroria, siç shkruan “Repubblica”, nuk e ka besuar kurrë versionin e marrjes aksidentale të substancës së ndaluar, të ashtuquajturit “hormoni i rinisë”. Avokatët e futbollistit u bazuan pikërisht në këtë, aq sa Pogba refuzoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Skualifikimi 4-vjeçar përfshin pothuajse 12 muajt në të cilët Pogba, i ndaluar si masë paraprake, nuk mundi të dilte në fushë. Faktet, siç u përmend, datojnë që më 20 gusht 2023. Në përfundim të një testi antidoping të kryer pas Udinese-Juventus, francezi rezultoi pozitiv për “Dhea”.

Skualifikimi i Pogba, në thelb filloi në vitin 2023. Dhe për këtë arsye do të përfundojë pas tri vitesh nga dënimi i sotëm, më 2027. Vendimi i Gjykatës Kombëtare Anti-Doping, megjithatë, nuk përbën kapitullin e fundit të betejës ligjore. Pogba do të paraqesë një apel në CAS e Lozanës për të provuar pafajësinë e tij ose, të paktën, për të marrë një ulje të skualifikimit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit