Transmetuar më 29-02-2024, 11:38

Ish-trajneri i Real Madridit, José Mourinho, ka bërë një bilanc të pasojave të qëndrueshme nga eliminimi zemërthyer i skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve, në duart e Bayern Munichut në vitin 2012. Përplasja në “Santiago Bernabeu”, për ata që nuk e mbajnë mend, konsiderohet gjerësisht si një nga më të mëdhatë në historinë e kompeticionit elitar të futbollit evropian të klubeve.

Pasi Bayerni fitoi ndeshjen e parë 2-1 në Mynih, kampionët gjermanë udhëtuan në kryeqytetin e Spanjës dy javë më vonë. Megjithatë, ishte nikoqiri, Real Madridi, i cili në fund të kohës së rregullt (të ndeshjes së kthimit) fitoi 2-1. Në kërkim të finales, të dyja skuadrat shkuan në kohën shtesë, ku barazpesha nuk ndryshoi, ndaj u deshën goditjet e penalltive.

Në fund të gjithçkaje, bavarezët triumfuan 3-2 nga pika e bardhë dhe shkuan në finalen ndaj Chelsea. Nga ata që nuk arritën t’i këmbenin në gola penalltitë e goditura atë natë ishin  Kaká, Sergio Ramos, Toni Kroos dhe Philipp Lahm. Ndoshta më i habitshmi nga të gjithë, megjithatë, ishte dështimi i Cristiano Ronaldos përballë Neuer.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Ronaldo, i konsideruar gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj i të gjitha kohërave, e pa goditjen e tij nga 11 metra larg të pritej me mjeshtëri nga portieri i Bayernit.

Dhe, siç u aludua më lart, aq i shkatërruar ishte sulmuesi portugez nga roli i tij në eliminimin e Real Madridit nga Liga e Kampionëve, saqë iu bë një vizitë pas ndeshjes nga bashkëkombësi dhe trajneri i atëhershëm, José Mourinho.

Duke folur në një intervistë të lëshuar nga “Prime Video” këtë javë, legjendari Mourinho zbuloi se atë natë ka qenë hera e vetme që ka qarë, në gjithë karrierën e vet si trajner, pas një humbjeje në futboll.

61-vjeçari pranoi se, pavarësisht se e kishte vuajtur shumë keq edhe vetë atë disfatë, shkoi në shtëpinë e Cristiano Ronaldos për ta ngushëlluar, me kërkesë të superagjentit Jorge Mendes:

“Unë qava, sigurisht jo në fushë apo në dhomën e zhveshjes. Qava në makinë kur po shkoja në shtëpi. Pikërisht kur po shkoja në shtëpi, mora një telefonatë nga (agjenti) Jorge Mendes: Më bëj një nder; shko në shtëpinë e Cristianos, sepse ai ka vdekur. Unë i thashë: Edhe unë kam vdekur. I tashë ndihmësit tim, Karanka, përgatitu, pa lot le të shkojmë në shtëpinë e Cristianos. Ai ishte pikërisht ashtu siç isha unë, i shkatërruar”.

Mourinho nuk i kurseu fjalët për ta kujtuar atë natë pas humbjes kundër Bayernit: "Ajo natë ishte e vetmja herë në karrierën time si trajner kur qava pas një disfate. E mbaj mend mirë… Aitor Karanka dhe unë u ndalëm përpara shtëpisë time, në makinë, duke qarë. Eliminim shumë i vështirë për t’u kapërdirë, sepse ishim më të mirët në atë sezon".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit