Transmetuar më 29-02-2024, 10:47

Kristjan Asllani i Interit ka folur për DAZN në kuadër të ndeshjes kundër Atalantës, e vlefshme për javën e 21-të të Serie A, ku ai luajti me kohë të plotë dhe të tijtë fituan bindshëm, 4-0. Kjo ishte ndeshje e prapambetur dhe u luajt mbrëmë në "San Siro".

Ja deklaratat e shqiptarit: "Kampionati po shkon shumë mirë, do të përpiqemi t’i marrim sërish tri pikët. Ndeshje e vështirë, po vijmë nga një moment i mirë. Mundohem të përfitoj nga të gjitha mundësitë që më jepen, luaj me përulësi.

Kam lojtarë të fortë përpara vetes dhe mësoj prej tyre. Calhanoglu ka folur shumë me mua para sfidës ndaj Lecce, më ka ndihmuar. Jam i lumtur që kam një referencë të tillë në ekip, në rolin tim".

Në këtë Inter të frikshëm, një realitet i prekshëm është edhe Kristjan Asllani, me trajnerin Inzaghi që tashmë është i bindur se talenti kuqezi e ka kaluar testin e pjekurisë. Ndaj Atalantës, shqiptari luajti si titullar dhe mori vlerësim të lartë për perfomancën në “kullën e regjisë” zikaltër.

Në përfundim të sfidës, mediat italiane e vlerësuan me notën 7-të: “Kristjan Asllani kalon testin e maturisë. I rregullt deri në limite në pjesën e parë, ndërsa në të dytën u çlirua më shumë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit