Transmetuar më 28-02-2024, 23:28

ITALI – Interi fiton bindshëm 4-0 përballë Atalantës në ndeshjen e prapambetur të Serisë A. Një duel i fituar ky edhe për Asllanin përballë kapitenit kuqezi Berat Gjimshiti, pasi mesfushori nga elbasani ishte në lojë për 90 minuta, falë edhe dëmtimit të mesfushorit turk Hakan Calhanoglu.

Darmian në minutën e 26-të përfiton nga një gabim i portierit të Atalantës dhe zhbllokon sfidën, ndërkohë brenda 45 minutave të para i përhershmi Lautaro Martinez shënon golin e dytë për t’i çuar ekipet në dhomat e zhveshjes me shifrat 2-0.

Me fillimin e pjesës së dytë, edhe pse Atalanta u përpoq, ishte e pafuqishme për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Madje zikaltrit e thelluan avantazhin edhe me dy gola të tjerë, në minutën e 55′-të Di Marco korrigjon penalltinë që portieri i bergamask i priti Lautaro Martinezit, ndërsa Fratezi vulos pokerin me golin në minutën 71-të. Një fitore që e çon në 12 pikë avantazhin e zikaltërve në krye të Serisë A ndaj Juventusit të vendit të dytë, ndërsa Atalanta mbetet në vendin pestë.

Napoli rikthehet te fitorja pas tre ndeshjesh në kampionat, duke triumfuar me rezultatin tenistik 1-6 në transfertën ndaj Sassuolos, sfidë e prapambetur për shkak të Superkupës së Italisë.

Në “Mapei Stadium” ishin vendasit ata që e nisën vrullshëm dhe shënuan një supergol me anë të Raçiç, por vetëm sa për të shkundur Napolin, që riktheu baraspeshën shumë shpejt me anë të kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani.

Më pas ishin Osimhen dhe Kvaratskhelia, që shënuan përkatësisht tre dhe dy gola, duke përfituar maksimalisht nga gafat në mbrojtje të emilianëve dhe duke vulosur suksesin me shifrat 1-6.

Titullar në këtë takim Nedim Bajrami, që qëndroi në fushë për 77 minuta, por pa arritur të lërë gjurmë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit