Nga Lutfi DERVISHI
Në një botë në prag të kaosit dhe Luftës se Madhe, ku liderët botërorë e kanë humbur si Xhaferri simiten, i vetmi udhëheqës që po i jep zgjidhje çdo krizë globale mbetet Kryeministri i Shqipërisë. Harroni OKB-në, NATO-n, BE-në apo edhe vetë masonët!
Ku bëhet fjalë për luftë, konflikt, krizë apo mosmarreveshje, njeriu që jep zgjidhje është vetëm një: Edi Rama. Çfarë të përbashkët ka lufta në Ukrainë? Lufta në Gaza? Kriza e emigrantëve në Itali e BE, kriza mes Serbisë dhe Kosovës?
Emëruesi i përbashket është angazhimi i përditshëm i Edi Ramës, që më të drejtë analistët e çështjeve ndërkombëtare e cilësojnë si menaxheri më i sukseshëm i krizave të shekullit të 21-të.
Ndërsa kryeministri shqiptar vazhdon misionin e tij si paqeruajtës global, intelektualët më të shquar të kohës sonë i bëjnë thirrje Komitetit për çmimin Nobel të mos humbasin shansin historik që humbën në vitin 1990, dhënien e çmimit në fjalë Ismail Kadaresë.
Është koha që çmimin Nobel për Paqen ta marrë Kryeministri i Shqipërisë. Kush më shumë se ai është investuar për paqen në botë, me angazhim të rregullt në median ndërkombëtare, me fjalime në institucione ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Sigurimit të OKB, NATO dhe BE, me pjesëmarrjen në çdo forum e seminar anekënd globit?
A ka qenë më në vëmendje Oslo apo Tirana këto kohë? Angazhimi i palodhur i kryeministrit të Shqipërisë të kujton një burrë-shtetas të madh turk, Ataturkun. Motoja e Ataturkut ishte: paqe në shtëpi, paqe në Botë. Kryeministri Edi Rama ka si qasje diametralisht të kundërt: paqe në botë (në fillim), pastaj paqe në shtëpi (Shqipëri) Kjo është dhe arsyeja që politikisht në Shqipëri nuk ka paqe.
Opozita ka mbetur në rrugë duke protestuar, kantieret e hapura gjatë këtyre 10 viteve kanë mbetur rrugëve, sepse thjesht dhe shqip kryeministri i Shqipërisë nuk ka kohë për të menduar e jo më të zgjidhë probleme të rëndomta si infrastruktura, funksionimi normal i Parlamentit apo reforma zgjedhore.
Po të merrej Edi Rama me këto probleme banale, me të drejtë gjithkujt do t’i kujtohej proverbi: fshati digjet… Ndaj nëse shqiptarët duan të dalin të protestojnë, le të protestojnë ndaj Melonit, Makronit, Sholcit, Shunakut dhe Bajdenit, që e kanë lënë vetëm Edi Ramen për të përballuar i vetëm luftërat dhe konfliktet globale. Të paktën këto liderët e tjerë të merreshin me problemet tona…
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd