Transmetuar më 29-02-2024, 07:42

Dusan Vlahovic dhe Juventusi ecin përpara së bashku. Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi serb që mbërriti në Torino nga Fiorentina në janar 2022 do të ishte gati ta zgjaste kontratën e tij deri në dy vite për të ndihmuar kësisoji klubin bardhezi, i cili duhet të amortizojë paratë e investuara për të (80 milionë euro).

Një akt i vërtetë dashurie nga ana e serbit, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2026. Ai i ka dhënë tashmë “OK” agjentit të vet, Darko Ristic, për të negociuar një rinovim që është veçanërisht i dobishëm për bardhezinjtë, për ta lehtësuar buxhetin e tyre.

Vlahovic aktualisht ka një kontratë me pagë në rritje, e cila filloi nga 7.5 milionë euro (plus bonuse) në sezon. Sot për sot merr 10 milionë euro, ndërsa në vitin 2026 paga do t’i shkojë në 12 milionë euro.

Giuntoli po studion formulën më të mirë për të ulur kostot e amortizimit të sulmuesit, duke ruajtur të njëjtën pagë. Për momentin ideja është zgjatja e kontratës me dy vite të tjera (deri më 2028).

Kontaktet e para mes drejtorit të futbollit të bardhezinjve dhe agjentit të serbit ishin pozitive, u shpalos gatishmëria e dy palëve për zgjatjen e kontratës, por për momentin nuk është caktuar një datë.

Në fakt, Giuntoli ka shtyrë çdo diskutim deri në pranverë, kur do të ketë siguri më të mëdha për të ardhmen dhe mbi të gjitha për buxhetin në dispozicion, sepse pjesëmarrja e mundshme në Champions League dhe mbi të gjitha në Botërorin e Klube do të sillte të ardhura dukshëm më të mëdha në arkat e Juventusit.

Takimi për të hedhur firmën mbi kontratë është shtyrë, por kushtet për zgjatjen e “martesës” mes Vlahovic dhe Juventusit janë të gjitha për “tymin e bardhë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit