Transmetuar më 28-02-2024, 08:20

Joachim Löw, ish-trajneri i Gjermanisë që fitoi Kupën e Botës në Brazil, në vitin 2014, ka qenë pa punë që nga viti 2021. Ditët e fundit është përfolur si një nga kandidatët për të trajnuar të Bayern Munich. Klubi bavarez njoftoi se Thomas Tuchel do të largohet në fund të sezonit. Në një intervistë për "Bild", ai ka folur për atë që po vjen.

64-vjeçari, i cili ndër të tjera ka drejtuar edhe Stuttgartin, ka shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer në "aksion" pas më shumë se dy vitesh mungesë. Megjithatë, e ka bërë të qartë se oferta që kërkon ende nuk i ka mbërritur dhe në çdo rast nuk do ta lidhte me Bayernin, por me një kombëtare: “Nuk jam pensionuar nga futbolli, por do të kthehem vetëm nëse jam 100% i bindur. Kjo ofertë nuk ka qenë ende në tryezën time".

Prioriteti i tij duket se është Kupa e Botës 2026: "Tashmë, një objektiv për mua është Botërori i radhës, që do të zhvillohet në Amerikë, Kanada dhe Meksikë. Kjo ide më duket emocionuese. Pas Kupës së Afrikës, Kupës së Azisë dhe Europianit, disa federata ndoshta do të kërkojnë përsëri trajnerë të kualifikuar për kombëtaret. Unë jam i hapur për këtë, duke filluar nga vera. Më pas do t’i shqyrtoj opsionet e disponueshme".

Löw shpjegon pse e përjashton një transferim te Bayern Munich: "Për disa arsye. Së pari, Bayerni ndoshta nuk është i interesuar për mua si trajner, as unë nuk do të isha i interesuar për Bayernin. Unë kam qenë trajner i ekipit kombëtar këtu në Gjermani për një kohë të gjatë (2006-2021). Sigurisht, klubet janë një opsion shumë i mirë, por për mua nuk përbëjnë më motivim”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit