Transmetuar më 27-02-2024, 08:53

Personalitet dhe talent. I tillë ishte Kristjan Asllani në pasimin që dha për Lautaro Martinez, i cili "vulosi" ndeshjen në "Via del Mare". Një asist i shqiptarit, jo i pari i këtij sezoni, në të cilin Interi ka zbuluar se ka një "playmaker" të besueshëm, pas Calhanoglu të paprekshëm.

Hakan nuk është në dispozicion, por zikaltrit nuk po vuajnë. E përkthyer? Asllani po rritet dhe bën mirë. "Shenjtërimi" i "vëllait të vogël" nga turku, nëpërmjet rrjeteve sociale, është dëshmi e kësaj. “Vëllai im i madh, maestro”, – ishte përgjigja e shqiptarit.

Calhanoglu, nga pankina e "Via del Mare", duke vëzhguar performancën e ish-lojtarit të Empolit, do të ketë marrë frymë i lehtësuar. Roli i tij në fushë është i sigurt edhe pa të në dispozicion. Kush e di nëse do të jetë kështu edhe ndaj Atalantës, një test i rëndësishëm për rritjen e 21-vjeçarit shqiptar (ai do të mbushë së shpejti 22 vjeç, më 9 mars).

Kundër skuadrës së Gasperinit, në mungesë të turkut, do të jetë sërish radha e tij, duke pritur të kuptojë se kur Calhanoglu do të kthehet në "kullën e regjisë" zikaltër. Kjo është edhe arsyeja pse Inzaghi e zëvendësoi Asllanin, pasi mori kartonin e verdhë (të mos rrezikonte).

Të mërkurën, Interi nuk bën dot pa Kristjan, i cili këtë sezon është përgjigjur gjithmonë pozitivisht, kur është thirrur "nën armë". Në kampionat kishte startuar nga minuta e parë vetëm në Firence, duke u kthyer nga udhëtimi në Riad për Superkupën e Italisë. Aty, Asllani dhe Frattesi zëvendësuan Barella dhe Calhanoglu, të pezulluar.

Gjithçka po shkon sipas planit. Në verë, kur Interi vendosi të sakrifikonte Brozovic, duke u fokusuar te Calhanoglu si "playmaker", ideja ishte t’i jepte më shumë hapësira Asllanit, i cili u "kalb në stol" sezonin e kaluar nga konkurrenca e pamëshirshme në mesfushë.

Tani ai është atje, vetëm pas Hakan. Dhe aty-këtu, mes aktivizimeve si zëvendësues e mundësive si titullar (duke përfshirë dy herë  në Champions League dhe një në Kupën e Italisë), ai përgjigjet si duhet.

Kundër Lecce nxori në pah të gjithë personalitetin dhe besimin e tij për të luajtur një rol delikat. Shqiptari bëri shumë pak gabime (vetëm dy pasime të gabuara) dhe e asistoi Lautaro Martinezin te goli. Inzaghi nuk mund të kishte kërkuar asgjë më shumë nga udhëtimi në Lecce. Me Asllanin, tashmë Interi ka gjetur gjithashtu një "playmaker" rezervë të besueshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit