Transmetuar më 26-02-2024, 09:20

Java e 26-të e Superiores rezervon përballjen e dy gjigantëve të futbollit shqiptar, Dinamo City dhe Vllaznia. Trajneri i kuqebluve, Qatip Osmani, nënvizoi në prag të kësaj sfide, që do të startojë sot, prej orës 17:00 në "Niko Dovana":

“Ekipi i Dinamos ka krijuar stabilitet në ndeshjet e fundit, shoqëruar edhe me rezultate të mira, lojëra të bukura. Ka individë, të cilët janë të aftë që t’i zgjidhin situatat, kështu që puna jonë është t’ia ndalim këtë seri rezultatesh pozitive kundërshtarit. Jemi të gatshëm për këtë sfidë.

E kemi analizuar ndeshjen e fundit me Erzenin, ndoshta nuk kemi luajtur dhe aq keq sa për të humbur. Na ka munguar finalizimi, sepse kemi krijuar disa raste të pastra shënimi. E kemi qarkulluar topin mirë, por gjithsesi shfaqëm disa dobësi, të cilat jemi munduar t’i riparojmë gjatë javës stërvitore. Unë mendoj se humbja në kupë ndaj Erzenit nuk do të ndikojë negativisht, sepse kemi edhe një ndeshje të dytë ndaj tij dhe kualifikimi është i mundshëm.

Për situatën ku ndodhemi, edhe barazimi vlen ndaj Dinamos. Sidoqoftë, e përsëris se synimi ynë është për ta fituar çdo ndeshje. Duhet të jemi të gatshëm për t’iu kundërvënë strategjisë së kundërshtarit. Objektivi i Vllaznisë, padyshim është fitimi i kësaj ndeshje.

Na rikthehet Boshnjaku, por edhe Hakaj do të jetë i gatshëm, kështu që do të kemi më shumë alternativa në dispozicion. Nuk mendoj se do të ndryshojmë shumë gjëra sa i takon formacionit”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit