Transmetuar më 26-02-2024, 09:12

Dinamo City-Vllaznia është ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në Superiore. Trajneri Dritan Mehmeti ka folur në konferencë shtypi për këtë sfidë, ku shpreson të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive: “Gjendja e skuadrës është e mirë. Kemi pasur probleme të vogla sa iu takon dëmtimeve me Denisonin dhe Andonin. Stërvitja ka shkuar mirë, do të konsultohemi me stafin mjekësor për Denisonin, nëse do të jetë pjesë e ndeshjes apo jo.

Vllaznia ka pasur performancë shumë të mirë kohët e fundit, jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra shumë pozitive. Së fundi ka mundur Egnatian, ka kualitete dhe besoj se do të jetë një ndeshje, që do të tregojë më së miri edhe forcën tonë. Duhet ta vlerësojmë ashtu si duhet Vllazninë. E respektojmë si rival dhe do të bëjmë maksimumin për të fituar.

Përpos sukseseve që kanë pasur dy skuadrat javët e fundit, mendoj se çdo ndeshje ka historinë e vet. Nuk mund ta parashikojmë çfarë do të ndodhë. Besoj se do të kemi një ndeshje që do të ketë edhe bukuri, sepse janë dy skuadra në majat e futbollit shqiptar. Shpresoj të ketë rivalitet, por edhe lojë të bukur.

Faktorët e tjerë nuk ndikojnë. Jemi të vetëdijshëm sa i vështirë është ky kampionat dhe nuk e shikojmë fare renditjen. Jemi të përqendruar te ndeshja me Vllazninë, kjo është shumë e rëndësishme. Skuadrat kanë shumë pak diferenca mes njëra-tjetrës. Nuk e kemi luksin të mendojmë gjatë, duhet të tregojmë forcën tonë dhe gjithçka t’ia lëmë fushës.

Faktori fushë në Superiore nuk vlen më. Ka rënë miti i fushës. Jam ndjerë shumë mirë, kur kam parë tifozët e Dinamos në Korçë. Edhe Vllazninë besoj se do ta ndjekin në këtë ndeshje. Skuadra është përgatitur shumë mirë dhe tashmë është bërë automatizimi i veprimeve.

Çdo skuadër ka nevojë për kohën e vet. Po kalojmë një moment të mirë, duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkojmë. Duhet të sigurojmë Superioren, ky është objektivi ynë. Pastaj, sa do të tregojmë forcën tonë, duke menduar për më gjatë, do t’ia lëmë fushës.

Unë shikoj javë pas jave, nuk e shikoj fare në aspektin e renditjes. Është një kampionat i vështirë dhe nuk bëjmë llogari. Llogaritë tona janë te fusha, te stërvitja. Kur të kemi stabilitet rezultatesh dhe lojë, mund të pretendojmë më tepër”.

Kujtojmë se ndeshja me Vllazninë do të luhet sot, prej orës 17:00, në stadiumin "Niko Dovana".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit