Transmetuar më 25-02-2024, 09:54

Në qytetin e Kukësit ka nisur puna për vendosjen e Urës së Madhe mbi Drin. Ura e Madhe e Kukësit, një investim prej 30 mln dollarë, ka një arkitekturë të veçantë prej çeliku me 310 metër gjatësi dhe pritet të plotësojë Rrugën e Kombit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka ndarë foto nga puna për vendosjen e urës, ndërsa shkruan se ky investim do të sjellë impakt në aspektin ekonomik, por jo vetëm, mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Filloi vendosja (me rrëshqitje) e urës së madhe të Kukësit! Investimi prej 30 milionë dollarë e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën”, shkruan Peleshi.

Ura do të jetë e gatshme në sezonin e ri turistik të kësaj vere dhe është vepra e dytë më e rëndësishme e rrugës së Kombit, pas tunelit të Kalimashit.

Devijohet rruga

Për shkak të punimeve, për dy javë është devijuar qarkullimi në aksin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit.

Konkretisht, Devijimi i lëvizjes do të bëhet te Ura Drinit të Zi – Rruga hyrëse në qytetin e Kukësit dalja për Kosovë në nyjën e Shtiqenit.

Ndërsa për lëvizjen nga Morina në Milot, devijimi i lëvizjes do të bëhet, tek rampa dalëse e mbikalimi tek nyja e re e aeroportit dhe dalja në urën e Drinit të Zi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd