Transmetuar më 24-02-2024, 15:10

Igli Tare fokusohet tek Interi dhe Inzaghi: Zikaltrit kanë skuadrën më të fortë në Serie A dhe Simone është një perfeksionist. Ish-drejtori sportiv shqiptar i Lazios ka folur në mikrofonat e “Deejay Football Club” me Ivan Zazzaroni dhe Fabio Caressa, duke u nisur nga eksperienca e tij në klubin bardhekaltër:

"Unë u përpoqa të jem vetvetja dhe të bëja më të mirën. Të përfaqësoja një klub si Lazio ishte një angazhim i rëndësishëm dhe i lodhshëm. Ishte një përvojë unike, të cilën do ta mbaj gjithmonë me vete në të ardhmen. Falë kësaj eksperience jam në gjendje të përballem me çdo aventurë tjetër”.

Vitin e kaluar, Lazio përfundoi në vendin e dytë: "Shpesh është folur për një mrekulli. Kjo fjalë më shqetëson shumë. Jam i bindur që edhe këtë sezon, Lazio ka një skuadër të shkëlqyer, e cila mund të garojë për katër vendet e para. Mendoj se mrekullia mund të jetë kur fiton një ndeshje, jo kur për një vit të tërë je në top 4 e kampionatit.

Kur merr një trajner si Sarri dhe ke një skuadër që një vit më parë kishte arritur në 1/8 finale të Champions League, do të thotë se je protagonist i një procesi rritjeje. Në futboll ne flasim shumë shpesh për mrekulli. Si për shembull Bologna këtë vit apo Atalanta vite më parë. Në fakt, rezultatet janë fryt i punës”.

Igli Tare krahason vlerën e skuadrave të Serie A: “Interi ka skuadrën më të fortë, këtë e thotë renditja dhe ecuria e kampionatit. Mendoj se i dyti më i kompletuar është Juventusi, një ekip i fortë. Unë  prisja diçka më shumë prej bardhezinjve, nisur nga fakti se nuk janë të angazhuar në Kupat e Europës. Po ashtu, Serie A ka një skuadër tjetër të fortë, si Milani. Ajo që Bologna ka bërë këtë vit është fantastike, është kënaqësi ta shohësh atë duke luajtur".

Interi drejtohet nga Simone Inzaghi: "Edhe si futbollist ai tregoi diçka të veçantë. Unë kisha të njëjtën ndjenjë për të si Guardiolën. Mund të shihje se ata kishin diçka më shumë se të tjerët. Simone është një person i thellë, kujdeset për çdo detaj të vogël. Ai është obsesiv dhe është i aftë të krijojë një marrëdhënie unike me ekipin”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit