Transmetuar më 24-02-2024, 10:25

Julian Nagelsmann u largua për një moment nga futbolli. Trajneri aktual i kombëtares gjermane vendosi të flasë për familjen e tij, në veçanti për babanë e ndjerë. Ai zbuloi disa detaje për punën e tij si agjent sekret, të cilat i kishin mbetur të paqarta deri në moshën 15-vjeçare.

Këto janë fjalët e tij në një intervistë për gazetën gjermane “Der Spiegel”: “Nuk më lejohet të them se çfarë roli ka pasur babai im dhe nuk e di me siguri se çfarë ka bërë, por e di që roli i tij nuk ka qenë administrativ. Dija pak se ku punonte në të vërtetë, ai ma tha kur isha rreth 15 vjeç.

Ne folëm për këtë në makinë, kur më çoi në stërvitje. Sidoqoftë, atij nuk i lejohej të fliste shumë për punën që bënte. Shpesh thoshte se ishte shumë për të, në profesionin e tij nuk mund t’i ndanit hallet, në fund ajo që bënte i rëndoi shumë”.

Trajneri gjerman vazhdoi: "Kur njerëzit më pyetën se çfarë bënte babai im, përgjigjesha se ishte ushtar. Edhe gjyshi besonte se djali i tij ishte në ushtri. Lajmi për vdekjen e tij? Unë isha duke ndjekur një kurs stërvitor pranë Mynihut, kur lektori më kërkoi të largohesha nga dhoma. Dikush tjetër më tha që babai im kishte bërë vetëvrasje.

Ai nuk la ndonjë shënim vetëvrasjeje, por mënyra se si e bëri tregon qartë se ishte i vendosur. Ishte një periudhë e tmerrshme për familjen time, por të paktën më ndihmoi të dija se babai me të vërtetë donte të vdiste, nuk ishte thjesht një thirrje për ndihmë. Më vonë e kuptuam shkakun, vumë re presionet e mëdha profesionale mbi të".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit