Transmetuar më 24-02-2024, 07:59

Dënim me burgim të përjetshëm. Ky është verdikti i drejtësisë kineze për ish-futbollistin e Everntonit, Li Tie. Ky dënim ekstrem lidhet me mandatin e shkurtër të tij si trajner i kombëtares kineze të futbollit, pozicion që e mbajti nga viti 2019 deri në fund të 2021-shit. Prokurori publik i Kinës e akuzoi Li për trukim dhe ofertë ryshfeti, diçka që e rrëfeu vetë më vonë në transmetuesin shtetëror CCTV.

Ish-mesfushori i “Toffees” pranoi se kishte paguar 330.000 £ ryshfet për t’u bërë trajner i kombëtares kineze. Ai gjithashtu rrëfeu përfshirjen në një skandal trukimi të ndeshjeve për të ndihmuar ekipin e tij të ngjitej në elitën e futbollit kinez, ndërsa ishte në krye të Hebei China Fortuna dhe Wuhan Zall.

Insajderi i sporteve të Kinës, Mark Dreyer raportoi të premten: "Ende nuk është njoftuar zyrtarisht, por raportet që dalin nag gjykata thonë se ish-lojtari i Evertonit dhe Kinës, Li Tie është dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tij trukues dhe korruptiv në futbollin kinez. 15 vite burg janë caktuar për presidentin e CFA në atë kohë, Chen Xuyuan, si dhe 13 vite burgim për zyrtarin e lartë sportiv Du Zhaocai”.

Li Tie është një nga ish-lojtarët kinezë më të talentuar të gjeneratës së tij, i cili luajti 92 ndeshje për kombëtaren e tij dhe bëri 33 paraqitje me Evertonin. Muajin e kaluar, duke folur në televizionin shtetëror drejtpërdrejt, Li tha: "Më vjen shumë keq. Duhet të kisha qëndruar me këmbë në tokë dhe të ndiqja rrugën e duhur.

Kishte disa gjëra që në atë kohë ishin praktika të zakonshme në futboll. Duke fituar ‘sukses’ me mjete të tilla të pahijshme, në fakt më bëri gjithnjë e më të paduruar dhe më të etur për rezultate të shpejta.

Për të arritur një performancë të mirë, kam përdorur ndikimin mbi arbitrat, korruptimin e lojtarëve dhe trajnerëve kundërshtarë. Kjo sjellje të kthehet në zakon dhe në fund krijon varësi të lehtë nga këto praktika”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit