Transmetuar më 22-02-2024, 10:20

Humbja e keqe ndaj Monzas nuk e fshiu dëshirën për të bërë mirë te Milani. Skuadra kuqezi duhet të kthejë faqen menjëherë, duke pasur parasysh se në horizont janë ndeshjet kundër Rennes dhe Atalantës.

Pikërisht në kuadër të ndeshjes së kampionatit, Stefano Pioli më në fund do të ketë në dispozicion Pierre Kalulu dhe Fikayo Tomori, të cilët do të forcojnë mbrojtjen, shpesh në vështirësi në ndeshjet e fundit.

"Kalulu dhe Tomori nuk kishin stërvitur me ne prej një kohe të gjatë. Rikthimi i tyre do të jetë shumë i rëndësishëm. Jemi të lumtur t’i kemi sërish pjesë të grupit", – shpjegoi trajneri i kuqezinjve për "Milan TV", i cili nënvizoi se dy mbrojtësit nuk do të jenë në dispozicion për Rennes, por ndoshta të dielën.

Duke parë ndeshjen e dytë të "play-off"-it të Ligës së Evropës, Pioli predikon qetësinë për të shmangur kurthet e mundshme: "Është e qartë se kemi një epërsi të mirë nga ndeshja e parë, por nuk mund ta konsiderojmë kualifikimin të përfunduar.

Rennes po bën mirë, është një ekip cilësor, që luan shpejt. Kundërshtari nuk do ta ngrejë lehtë ‘flamurin e bardhë’. Ne jemi të fokusuar vetëm në atë që duhet të bëjmë për të arritur në raundin tjetër. Duhet ta menaxhojmë mirë avantazhin, duke u përpjekur ta godasim kundërshtarin”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit