Transmetuar më 22-02-2024, 09:38

Xavi shpreh keqardhjen e tij që nuk e fitoi ndeshjen në stadiumin “Maradona”, edhe pse e kontrolloi lojën për së paku 75 minuta: “Rezultati nuk është i drejtë. Ne kemi qenë të mirë në të gjitha aspektet e lojës. Pas golit të barazimit nuk reaguam si duhet”.

Barcelona barazoi 1-1 në fushën e Napolit, në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Kësisoji, kualifikimi mbetet tërësisht i hapur për sfidën e kthimit, më 12 mars. Trajneri blaugrana e analizoi kështu atë që ndodhi në fushë:

“Modeli ynë i lojës ka qenë i mirë, por na është dashur ta qetësojmë ndeshjen kur ishim në avantazh. Kjo e dyta na ka munguar. Kjo është Liga e Kampionëve, dominuam për 75 minuta, por shikoni, u ndëshkuam praktikisht në goditjen e parë të kundërshtarit.

Skuadra jonë ka dominuar dhe ka gjeneruar shumë raste në lojën pozicionale. Kemi luajtur në gjysmëfushën e kundërshtarit, me presion të lartë. Është mëkat, sepse unë mendoj se e merituam fitoren. Duhet të shënojmë dhe të mos pësojmë.

Jam i kënaqur që kanë dalë në pah shumë gjëra nga ajo që kemi punuar, që kur kam ardhur në detyrë. Kjo është një nga ndeshjet më të mira që kemi luajtur në Europë.

Rezultati nuk na jep hakun, është mëkat. Kemi qenë të mirë gjatë gjithë lojës, përveç momentit të pësimit të golit. Kjo është mënyra, duke luajtur kështu do të fitojmë më shumë ndeshje sesa do të humbim.

Mundëm ta fitonim ndeshjen, e kishim në dorë. Arsyeja e mungesës së fitores? Ka faza të lojës në të cilat nxitohemi, na mungon pjekuria, ajo ndjenjë dominimi, qetësie, pauze.

Nëse më parë shanset e kualifikimit ishin 50-50, tani jemi 51 me 49 në favorin tonë, për faktin se do ta luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi.

A është kthyer Lewandowski? Ai është shumë i fokusuar, është lider dhe pyetja më shumë është se si e ndihmon skuadrën sesa golat që shënon, që janë pasojë e lojës së tij”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit