Transmetuar më 09-02-2024, 22:40

TIRANË- Alma Kaçi thotë se videoja e saj me Safet Gjicin u bë virale pasi e çoi në redaksinë e "Fiks Fare".

‘Sot kam çuar kartën e memories në redaksinë e ‘Fiks Fare’, të nesërmen videoja u bë virale. Nuk u transmetua, por e bënë virale. Përdorën këtë gjë, e bënë virale,’ tha ajo, për SyriTv.

Alma Kaçi akuzon se ka bërë investigime për blerje votash, por ato nuk janë transmetuar nga ‘Fiks Fare’.

"Ishte vala e nxehtë kur ishin votimet dhe për kryebashkiakët e tjerë bëhej fjalë për blerje votash. Bëhet fjalë për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Bashkia e Roskovecit, Bashkia e Fierit, ku ndër të tjera kërkonin se çfarë personash ke në fis, të m’i sjellësh me emra dhe mbiemra dhe u premtonin punë.Të gjitha këto raste janë bërë kundrejt marrjes së votës dhe kundrejt emisionit ‘Fiks Fare’ dhe që nuk janë transmetuar. Për shembull në Bashkinë e Kavajës, ish-kryebashkiaku përmes vëllait të vet, ndante ushqime te komuniteti rom, jepte tollona, edhe lekë ndoshta, por që nuk asistova dot për lekë. Edhe për kryebashkiakët e Fierit dhe Roskovecit është e njëjta skemë," tha Kaçi.

Sipas saj, ajo paguhej në të zezë nga ‘Fiks Fare’.

"Që këtu është shkelja e ‘Fiks Fare’, që SPAK e dinte shumë mirë që mua më mbanin në të zezë. A është vepër penale që të mbash punonjësit në të zezë? Jo vetëm mua, por të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm, se unë quhesha bashkëpunëtore e jashtme. Kështu që janë devijuar shumë gjëra. Këtu nuk ka shtet, nuk ka drejtësi. Këtu drejtësia funksionon vetëm për Edi Ramën," shtoi ajo.

E pyetur se sa paguhej, Kaçi tha: "Shumën nuk mund ta them se sa mund të merrja. Por kur materiali transmetohej, unë shkoja të nesërmen në redaksi dhe merrja pagesën time, gjithmonë në të zezë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit