SHBA- Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka nisur seanca e jashtëzakonshme për çështjen e dinarit.
Mbledhja u kërkua nga Serbia në kërkesën e të cilës thuhet se vendimet e marra së fundmi nga qeveria e Kosovës janë në kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.
Fjalën e ka mbajtur i pari i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili tha se vendimi për heqjen e dinarit serb po ndëshkon popullatën serbe në Kosovë, teksa listoi grupimet e popullatës serbe në Kosovë që preken nga ky vendim.
“Regjimi i Prishtinës po ndalon mundësitë e popullatës serbe që të marrë shërbimet mjekësore, arsimore, etj. Albin Kurti është persekutor i serbëve. Në territorin e Kosovës dhe Metohisë janë kryer 669 sulme me motive etnike, që është një rritje prej 300 për qind. Do të theksoj një fakt të padiskutueshëm – është plotësisht e padiskutueshme se në territorin e Kosovës dhe Metohisë euro është futur si mjet i vetëm pagese në mënyrë të dukshme të kundërligjshme, sepse është bërë me vendim të njëanshëm të lidershipit politik në Prishtinë”, u shpreh ai.
Kurti tha se është ironike t’i përgjigjesh pretendimeve të një shteti që ka kryer gjenocid në Ballkan dhe është një nga rreziqet më të mëdha të stabilitetit në rajon.
“Është disi ironike t’i përgjigjesh akuzave të rreme për abuzim me të drejtat e njeriut një vendi që ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit të 20-të dhe një qeveria që është një nga rreziqet më të mëdha të stabilitetit në rajon. Qeveria serbe në vitet ’90 urdhëroi vrasje dhe kreu gjenocid në Kosovë. Brutaliteti i asaj që u krye ndryshoi ligjet ndërkombëtare përgjithmonë”, tha Kurti.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd