Një personazh i njohur në rrjetin social ‘TikTok’ përfundoi në prangat e efektivëve të Policisë, pasi tentoi t’i korruptonte.
39-vjeçarja, me inicialet A.K., e njohur si "Albasita" futi para në dokumentet e mjetit, kur iu kërkuan për kontroll nga Policia.
"Gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, konkretisht: A. K., 39 vjeç, G. H., 30 vjeç, B. C., 20 vjeç, E. C., 50 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, për tentativa për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore. Këta shtetas kanë tentuar t’iu ofrojnë punonjësve të Policisë së Shtetit, ryshfet, pasi u kapën në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", bëri me dije Policia.
Video e arrestimit nga policia:
Por aq shpejt sa iu vendosën prangat, aq shpejt edhe ka dalë.
E reja ka përcjellë një mesazh vetëm 2 orë më parë në rrjetin e saj në "TikTok", ku duket se vazhdon që të drejtojë qetësisht mjetin ku edhe u arrestua.
"Qentë lehin, karvani ecën para. Më shumë material për ju", shkruan ajo, ndërsa në sfond dëgjohen fjalët e këngës: Oooo na kanë inatin.
Mbeten ende të paqarta rrethanat sesi ajo ka arritur që të lirohet brenda vetëm pak orësh nga Komisariati ku edhe ishte shoqëruar për mitdhënie.
Megjithatë fakti është që po shijon lirinë e saj, duke i mbajtur edhe fansat goxha aktivë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd