Transmetuar më 05-02-2024, 09:02

Dilemat e bankave qendrore rreth normave të interesit këtë vit janë më të mëdhatë që kur nisi vala inflacioniste e gjysmës së dytë të vitit 2021.

Rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë botërore nga pandemia, vështirësia e zinxhirëve të furnizimit për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje dhe sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë ringjallën rrezikun inflacionist të harruar prej pothuajse një dekade.

Në këto kushte, ishte e qartë se epoka e politikave monetare ultra ekspansioniste u mbyll dhe tashmë normat e interesit do të rriteshin gradualisht drejt niveleve më normale apo asnjanëse. Kjo, në fakt, edhe ndodhi gjatë dy viteve të fundit.

Por, tremujori i fundit i vitit të kaluar, megjithatë, ringjalli shpejt shpresat e tregjeve se normat e interesit mund t’i kthehen uljes. Këto pritshmëri u mbështetën tek ulja e inflacionit pranë objektivit pak më shpejt nga sa kishin projektuar bankat qendrore, por edhe nga disa sinjale të përkeqësimit të tregjeve të punës, sidomos në SHBA.

Që në fund të vitit të kaluar, tregjet duket se “vunë bast” për një ulje të normave të interesit këtë vit, të paktën duke iu referuar normave të disa indekseve benchmark kyç, si për shembull Euribori.

Por, a do të ketë që këtë vit një kthesë në kahun e politikave monetare dhe një ulje të normave të interesit?

FED dhe ECB ftohin optimizmin e tregjeve

Deri tani, drejtuesit e bankave më të rëndësishme qendrore, Rezervës Federale (FED) dhe Bankës Qendrore Europiane (ECB), kanë qenë të kujdesshëm për të mos e mbështetur optimizmin që kanë shfaqur tregjet financiare.

Në mbledhjet e fundit, Bordet vendimmarrëse nuk kanë dhënë asnjë sinjal që do të paralajmëronte një ulje të shpejtë të normave të interesit. Në veçanti, Presidentja e ECB-së, Christine Lagarde, ka lënë të kuptohet se politika e “normave më të larta për një kohë më të gjatë” në thelb nuk ka ndryshuar.

Vitin e kaluar, Banka Qendrore Europiane ndoqi një kurs agresiv të rritjes së normave të interesit drejt niveleve më të larta historike. Norma bazë, ajo e operacioneve kryesore të rifinancimit, në muajin shtator 2023 arriti në 4.5%, ndërsa norma e interesit e depozitave ditore ka arritur në 4%.

Kjo u reflektua në rritjen e treguesve referues të euros në tregun ndërbankar. Euribori 12-mujor në fillim të tetorit arriti në më shumë se 4.2%, niveli më i lartë në 15 vjet. Por, rënia e inflacionit në muajt e fundit të vitit të kaluar bëri që tregjet të ndërtonin pritshmëri për norma më të ulëta interesi.

Në mesin e muajit janar, Euribori 12-mujor ishte poshtë nivelit të 3.6%, ndjeshëm poshtë normave bazë të aplikuara nga ECB-ja.

Në thelb, çështja shtrohet nëse beteja me këtë valë të inflacionit është fituar, apo çmimet mund të sjellin përsëri të papritura të pakëndshme. Tensionet gjeopolitike ngelen një faktor i rëndësishëm rreziku.

Përveç luftës në Ukrainë, që mbetet potencialisht një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve, vatrat e reja të konflikteve në Lindjen e Mesme kanë krijuar shqetësime të lidhura sidomos me çmimet e naftës, faktor kyç në krijimin e presioneve inflacioniste mbi ekonominë botërore.

Inflacioni në Eurozonë në muajin tetor 2023 pati rënë në 2.2%, niveli më i ulët në më shumë se dy vjet, por ecuria e muajve nëntor dhe dhjetor ka treguar se ndoshta optimizmi për një fitore përfundimtare mbi inflacionin ishte i tepruar dhe inflacioni u rrit përsëri në 2.9% dhe 3%.

Arton Lena, Drejtor Ekzekutiv i shoqërisë administruese të fondeve të investimit, WVP Fund Management Tirana, thotë se situata ekonomike globale mbetet e trazuar, e goditur nga tensionet gjeopolitike dhe presionet inflacioniste.

Një faktor kyç që meriton vëmendje të veçantë është rreziku nga përshkallëzimi i konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Këto tensione ndërkombëtare kanë potencialin të shtojnë ndjeshëm çmimet e naftës dhe produkteve bujqësore dhe ushqimore.

“Rritja e çmimeve të naftës, jo vetëm që rëndon ekonominë globale, por gjithashtu ushtron presion të drejtpërdrejtë mbi inflacionin, duke i bërë politikat monetare edhe më të komplikuara. Përshkallëzimi i konflikteve në këto rajone mund të shkaktojë një efekt domino në ekonominë globale.

Për shembull, çmimet e larta të naftës mund të çojnë në rritje të kostove të transportit dhe prodhimit, që në fund të fundit përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët. Kjo mund të sjellë një spirale të inflacionit, ku rritja e çmimeve nxit kërkesën për paga më të larta, duke shtyrë më tej inflacionin.

Ky kontekst i pasigurt global ndikon direkt në politikat e normave të interesit. Bankat qendrore, përfshirë ECB dhe Rezervën Federale, do të duhet të balancojnë nevojën për të luftuar inflacionin dhe për të mbështetur rritjen ekonomike.

Nëse çmimet e naftës rriten ndjeshëm dhe qëndrueshëm, kjo mund të çojë në një qëndrim më të fortë monetar për të frenuar presionet e inflacionit”, – thotë z. Lena.

Admir Ramadani, Drejtor Investimesh në shoqërinë administruese të fondeve të investimit dhe pensionit, Albsig Invest, shprehet se, me gjithë optimizmin e tregjeve, bankat qendrore nuk kanë dhënë sinjale se ulja e normave të interesit mund të ndodhë në një kohë të shkurtër.

“Në mbledhjet e tyre të fundit, ECB dhe FED dolën me një qasje më të butë ndaj pritshmërive për ecuritë e normave, por të dy mënjanuan pyetjet nëse do të kemi ulje të normave gjatë 2024.

Normat e interesit në USD dhe EUR duket sikur kanë arritur kulmin dhe do të qëndrojnë në nivele të larta, për një kohë të gjatë. Edhe nëse do kemi ulje të normave, nuk pritet që ato të kthehen në nivelet e ulëta që ishin para pesë viteve

Tregjet financiare parashikojnë ulje të normave, ndërkohë ECB është përpjekur t’ju kundërpërgjigjet këtyre tendencave, duke pohuar se “nuk kishin diskutuar për ulje të normave në mbledhjen e fundit” dhe se “nuk duhet të ulim vigjilencën”.

Gjithashtu, tregjet financiare në SHBA parashikojnë ulje të normave, por dhe atje, zyrtarë të FED përpiqen t’i kundërshtojnë këto pritshmëri. Normat do të ulen vetëm nëse vërehet një ulje e theksuar e aktivitetit ekonomik.

Ndërkohë, aktiviteti ekonomik në SHBA po shënon rritje më të lartë se në BE”, – thotë z. Ramadani.

Leku, rritja e normave ndoshta nuk ka mbaruar ende

Në mënyrë disi të papritur, Shqipëria duket se ndodhet në një pikë të ndryshme në kurbën e normave të interesit. Norma bazë e interesit është 3.25%, një ndër nivelet më të ulëta në Europë.

Ndërsa në përgjithësi besohet se norma bazë e interesit për Euron, Dollarin dhe shumicën e monedhave të rëndësishme botërore tashmë ka arritur nivelin më të lartë, (aq sa diskutohet tashmë një ulje e tyre), për Lekun normat mund të vijojnë ciklin e rritjes edhe për këtë vit.

Pas vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vjeshtë, Banka e Shqipërisë deklaroi se presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme janë ende të larta dhe rriti normën bazë për herë të dytë gjatë 2023.

Orientimet për tregjet të natyrës forward guidance gjithashtu paralajmëruan se ndoshta një rritje e mëtejshme mund të jetë e nevojshme për të çuar inflacionin në objektiv, gjithmonë në kontekstin e një vendimmarrjeje të mbështetur në ecurinë e shifrave.

Mbështetur në orientimet e dhëna në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, të paktën një rritje e normës bazë të interesit ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e parë 2024. Inflacioni në tremujorin e fundit e ka ndërprerë rënien dhe në dhjetor të vitit të kaluar u rrit lehtë në 4%. Sinjale pak më inkurajuese ka dhënë inflacioni bazë (që përjashton çmimet e produkteve ushqimore dhe energjetike), që ka vazhduar rënien për dhjetë muaj me radhë dhe në dhjetor 2023 zbriti në 3.2%.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë do të kenë ndikim të rëndësishëm në trajektoren e yield-eve në muajt e ardhshëm, sidomos për instrumentet me afate më të shkurtra maturimi. Nëpërmjet mekanizmit të transmetimit, ecuria e yield-eve do të ketë rol të rëndësishëm edhe në çmimin e kredisë për sektorin privat. Vitin e kaluar, kreditimi në Lek shënoi rritje me 9%, edhe falë normave ende të ulëta të interesit.

Admir Ramadani, nga Albsig Invest, mendon se, megjithëse një rritje e mëtejshme e normave të interesit për Lekun nuk përjashtohet, nuk pritet që këto norma të ndryshojnë shumë në raport me nivelet e tanishme.

“Banka e Shqipërisë, në deklaratën e mbledhjes së fundit, është shprehur se inflacioni është në përgjithësi në linjë me pritjet e tyre dhe parashikon arritjen e objektivit gjatë gjysmës së dytë të 2024-s.

Në komunikatën me bankat e nivelit të dytë, Guvernatori Sejko u shpreh se vazhdimësia e inflacionit mund të çojë në rritje të normës bazë. Inflacioni në muajin dhjetor 2023 rezultoi 4% nga 3.9% që ishte gjatë tetorit dhe nëntorit të 2023.

Bankat raportojnë për një tepricë likuiditeti në fillim të vitit që mund të zgjasë, ndërkohë që Ministria e Financave ka rritur në mënyrë të ndjeshme shumën e emetimeve të borxhit (kryesisht afatshkurtër) të brendshëm për këtë vit. Normat e interesit priten të mos ndryshojnë shumë nga nivelet e tanishme”, – thotë z. Ramadani.

Arton Lena, nga WVP Fund Management Tirana, mendon se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare do të kenë ndikim të rëndësishëm edhe për drejtimin që do të ndjekë politika monetare në Shqipëri.

“Është e pritshme që politika monetare për Lekun do të ndikohet nga kushtet ekonomike brenda vendit dhe nga klima ekonomike ndërkombëtare, duke përfshirë edhe politikat e bankave qendrore kryesore si ECB dhe Rezerva Federale.

Faktorë si konfliktet në vazhdim në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, të cilët ndikojnë në inflacionin global dhe çmimet e naftës, gjithashtu mund të luajnë rol të rëndësishëm në formësimin e politikës monetare të Shqipërisë.

Duke qenë një ekonomi e hapur, Shqipëria duhet të jetë e gatshme të përshtatet me ndryshimet në tregjet ndërkombëtare dhe presionet nga inflacioni i lartë që mund të vijnë si pasojë.

2024 duket si një vit i mbushur me sfida të mëdha për politikat monetare. Nga njëra anë, ka pritshmëri për stabilizim ose ndoshta ulje të normave të interesit në Eurozonë dhe SHBA.

Nga ana tjetër, rreziku i rritjes së çmimeve të naftës dhe inflacionit, si pasojë e konflikteve gjeopolitike, mund të krijojë një sfidë të re. Kjo do të kërkojë një qasje të kujdesshme dhe të përshtatshme nga politikëbërësit, jo vetëm në Eurozonë dhe SHBA, por edhe në Shqipëri”, – thotë z. Lena.

FMN: BSH të rrisë normën bazë drejt nivelit neutral

Vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë natyrisht që do të jetë e lidhur ngushtë me objektivin ligjor të stabilitetit të çmimeve. Inflacioni pësoi rënie vitin e kaluar dhe në fund të dhjetorit shënoi nivelin 4%, nga 7.4% një vit më parë. Inflacioni mesatar vjetor pësoi gjithashtu rënie në 4.8%, nga 6.7% në vitin 2022.

Megjithatë, tremujori i fundit i vitit 2023 tregoi një frenim në ritmet e rënies së inflacionit, që e mbylli vitin në 4%, nga një nivel minimal vjetor prej 3.8% që ishte arritur për tetorin.

Në parashikimet e saj të fundit, Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të kthehet pranë objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Megjithatë, jo të gjithë analistët financiarë janë dakord me këtë projeksion. Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikon se kthimi i inflacionit në objektiv mund të ndodhë në fillim të vitit 2025, me kushtin që Banka e Shqipërisë të vijojë rritjen e normës bazë të interesit pranë nivelit neutral, të vlerësuar në afërsisht 4.5%.

Sidoqoftë, FMN thekson se pasiguria rreth inflacionit ngelet e lartë dhe sugjeron një qasje me fleksibilitet dhe duke ndjekur shifrat e reja.

Vlerësimet e FMN sugjerojnë se rritja e pagave të sektorit publik do të ndikojë në ecurinë e pagës mesatare në ekonomi, veçanërisht në kushtet e një tregu të shtrënguar pune dhe një hendeku pozitiv të prodhimit.

Raiffeisen Research: Norma bazë për Lekun arrin në 4.25% deri në fund të këtij viti

Në analizën e fundit, të muajit dhjetor 2023, Raiffeisen Research parashikon se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të shtrëngojë politikën monetare në muajt në vijim, në përpjekje për të ulur inflacionin.

Sipas projeksionit të Raiffeisen Research, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të shtrëngojë politikën monetare edhe në muajt në vijim. Banka qendrore pritet të rrisë normën bazë me 25 pikë përqindje në tremujorin e parë të 2024, e ndjekur nga një rritje tjetër me 25 pikë përqindje në tremujorin e dytë.

Kjo do ta çonte normën bazë në 3.75% në fund të tremujorit të dytë.

Ne presim që banka qendrore të vazhdojë të monitorojë nga afër inflacionin dhe të rregullojë qëndrimin e saj të politikës, sipas nevojës.

“Sipas mendimit tonë, inflacioni bazë do të qëndrojë pranë nivelit 3.5% në muajt në vijim, i mbështetur nga rritja e pagave dhe rritja e shpenzimeve përpara zgjedhjeve parlamentare në 2025. Kjo do të rrisë më tej presionet themelore inflacioniste dhe do të detyrojë bankën qendrore të mbajë kursin e një cikli shtrëngues.

Norma bazë nuk ka arritur ende nivelin neutral. Qëndrimet e Bankës së Shqipërisë për politikën monetare janë zhvendosur drejt një pozicioni shtrëngues, pas bisedimeve me misionin e FMN-së në vjeshtë.

Ne besojmë se Banka Qendrore do të angazhohet për rritje të mëtejshme të normës bazë në periudhat e ardhshme dhe parashikimet tona tregojnë se norma bazë do të arrijë nivele deri në 4.25% në fund të 2024”, – thuhet në analizën e Raiffeisen Research.

Raiffeisen Research nënvizon se kërkesa e fortë që po nxitet nga sektori i turizmit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 2025 mund të paraqesin sfida në përpjekjet e bankës qendrore për uljen e inflacionit drejt objektivit.

Edhe sipas Raiffeisen Research, ulja e inflacionit në objektivin prej 3% pritet të ndodhë vetëm në vitin 2025./ MONITOR

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit