Transmetuar më 30-01-2024, 22:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur përfaqësuesit e katër partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, raporton teve1.info

Sipas komunikatës së Qeverisë, kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.

“Sot në zyrën e tij, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.

Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku. Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet.

Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit