Shkup- Ditën e diel më 28 janar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferri pritet të marrë detyrën si kryeministër i parë shqiptar, pasi të votohet në Kuvend mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme që do të çojë vendin në zgjedhjet e dyfishta që do mbahen në muajin maj.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i është drejtuar kombit shqiptar me një fjalim duke e quajtur të nesërmen si ditë historike.
“Katër vite më parë nga ky vend iu drejtova juve me fjalët “çdo gjë fillon me një ëndërr”. Ju thashë se të gjithë ne i kemi ëndrrat tona për fëmijët tanë. Liria dhe barazia nuk vijnë lehtë, kërkojnë edhe besim se synimi do të arrihet. Ashtu besoja edhe në marrëveshjen e Ohrit edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Besoja se do bëhemi pjesë e NATO-s dhe se do të hapej mundësia për anëtarësim në BE. Besoj se shpejt do anëtarësohemi në BE sepse është ideali ynë. Nesër është ditë historike. Nesër të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut”. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët aq dhe për maqedonasit sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet, bashkërisht të ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit jo njëri pas tjetrit, për krahë për krahë për një Maqedoni europaine. Jam mirënjohës që na besuat, që u rreshtuat pas ëndrrës sonë dhe që ky besimi juaj do shpërblehet nesër edhe me një premtim të mbajtur edhe me një punë të kryer dhe një ëndërr të realizuar. Vendi ynë do bëhet më i fortë dhe më i bashkuar. Ky është vetëm fillimi, kemi edhe shumë punë për të bërë dhe ëndrra për të realizuar”, u shpreh Ali Ahmeti.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd