Transmetuar më 13-01-2024, 10:50

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot bizneset në Shqipëri se në kuadrin e përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian do të miratohen disa ligje që do të prekin në mënyra nga më brutalet bizneset.

Pohimin z.Rama e bëri në një takim sot te Piramida ku përuroi Shtëpinë e Biznesit,  raporton noa.al.  Ai tha se Shtëpia e Biznesit, është një derë e hapur në shërbim të komunikimit dhe bashkëveprimit me sipërmarrjen.

"E vërteta është që deri tek anëtarësimi [i Shqipërisë në BE] është një rrugë me shumë kthesa të forta pasi negociatat nuk janë një proces angazhimesh të shkruara që ne do t’i plotësojmë kur të hyjmë, janë një proces angazhimesh që ne do t’i plotësojmë për të hyrë, që do të thotë që duhet të bëjmë gati Shqipërinë me legjislacionin europian dhe gjithë parametrat e zbatueshmërisë së legjislacionit për të hyrë, që do të thotë që duhet të kalojmë ligje që do të afektojnë biznesin në mënyra nga më brutalet, përndryshe nuk hyjmë dot dhe kjo do të kërkojë, në radhë të parë, shumë më tepër informim, shumë më tepër përgatitje për adaptim sepse kjo që i ndodh sot industrisë fason për një arsye të ndryshimit të ADN-së të organizmit të ekonomisë sonë, mund t’i ndodhë çdokujt, në rast se nuk është i përgatitur për të vazhduar biznesin nën një ombrellë ligjore të re", u shpreh Edi Rama.

Mund t’i ndodhë çdokujt, – shtoi ai, – nëse, legjislacioni për tranzicionin e gjelbër miratohet se duhet pastaj një komplet tjetër kornizë për të vazhduar aktivitetin certifikime, detyrime financiare".

Për këtë arsye, – vijoi ai, – duhet realisht të filloni ta mendoni që tani që mos përfundoni asnjeri siç i ndodh atyre në industrinë fason që nuk e di se çfarë pritën për t’i dalë përpara kësaj që erdhi sot.

Rama tha se ka ndryshuar komplet gjithë struktura dhe infrastruktura dhe shembulli më i thjeshtë për t’u kuptuar që pse kjo histori është pa kthim dhe pse në këtë histori nuk duhet ngritur koka lart për të thënë “Shteti të vijë të na ndihmojë” është ky: Gratë që janë në fason, pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë vajza të vogla, vajza të reja kur janë ulur përpara makinës qepëse. Sot janë nëna, janë gjyshe që iu ka ardhur dita e pensionit prej vitesh e do dalin në pension.

Tani, e shikoni dot ju me syrin e imagjinatës që një vajzë e të njëjtës moshë që kishte gjyshja apo nëna që sot del në pension, kur u ul tek makina qepëse, të shkojë të ulet tek makina qepëse? E shikoni dot ju me sytë e imagjinatës tuaj që një vajzë nga Devolli apo nga Kamza apo nga Paskuqani apo nga Lezha, të shkojë të ulet para makinës qepëse dhe të pranojë të bëjë të njëjtën punë që bëri nëna apo gjyshja e vet për kaq shumë vite, për një page, e cila është e ulët si avantazh konkurrues me të tjerët? Po nuk ndodh kurrë!

Unë e di dhe anën tjetër të medaljes që rritja e asaj page për të bërë të njëjtën punë, të çon po ashtu në falimentim. Atëherë çfarë është përgjigja? Nuk do të bësh të njëjtën punë? Do ta transformosh atë fabrikë në një fabrikë që do të bëjë ciklin e mbyllur, në një fabrikë që do t’i adaptohet ndryshe tregut, duke ruajtur eksperiencën që ke për pjesën që ke, por duke i shtuar kësaj eksperience elementë të rinj, përndryshe, se tregu është një ujk i madh. As nuk e zbut dot duke e trajtuar si qenin që do të mbarojë shtëpinë, as nuk e josh dot me asnjë formë tjetër, përveç se duke i rezistuar dhe duke qenë më i fortë se sa ai vetë. Kjo është. E thjeshtë, për t’u thënë, për t’u bërë, unë nuk jam sipërmarrës kështu që ky është halli i juaj." /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit